Një vit nga premtimi dhe asnjë lopatë për parkun memorial për viktimat e modularit në Tetovë, Klekovski s’ja ka haberin për projektin
Sot bëhet një vit që kur u paralajmërua ndërtimi i parkut memorial për viktimat e spitalit modular të Tetovës, një vit më pas, në terren nuk ka lëvizur as edhe një gur në drejtim të ndërtimit të parkut, ndërsa ministri i ri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski nuk është në dijeni për këtë projekt, shkruan Portalb.mk.
Fiks para një viti dhe pak para zgjedhjeve lokale, funksionarë qeveritarë dhe deputetë u shfaqën para kamerave duke bërë homazhe dhe duke premtuar me tone emocionale se viktimat nuk do të harroheshin, sot në terren nuk ka asnjë gjurmë punimesh.
Premtimet e bujshme u zëvendësuan me zvarritje institucionale, ndërsa familjarët dhe qytetarët ende presin realizimin projektit që u prezantua si detyrim moral ndaj viktimave të tragjedisë.
Parku memorial për 14 viktimat e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës vazhdon të mbetet vetëm një tabelë informuese.
Nuk ka informata publike se kur do fillojë punimet, ndërsa ministri i ri i Shëndetësisë, Sasho Klelovski nuk ja ka haberin se ku ka ngecur ky projekt.
Dy ditët e fundit në paraqitjet e tij publike u kërkua llogari se pse po zvarritet projekti.
“Sinqerisht nuk kemi informacion. Nuk do mund të komentoj as se kush e ka marrë përsipër detyrimin dhe pse nuk është realizuar, por do ta kontrolloj”, tha Klekovski më 28 korrik.
Një ditë më vonë, më 29 korrik ai u informua për projektin gjatë vizitës në Tetovë, por përsëri nuk tregoi për zvarritjet.
“Sinqerisht, nuk isha në dijeni se këtu kemi projekt të papërfunduar, kryetari i komunës më informoi për të, do ta shqyrtojmë dhe do t’i japim prioritet, e pashë lokacionin, e pashë planin dhe ai përshtatet me planin për ndërtimin e objekteve të ardhshme atje, pasi është e rëndësishme të dihet se edhe atje do të ketë parqe kur të ndërtohen objektet e reja, menjëherë pas kthimit në Shkup do ta aktualizoj këtë çështje dhe do të shohim se deri ku ka arritur projekti”, tha Klekovski.
Megjithatë, pavarësisht zotimeve publike të ministrit, Ministria e Shëndetësisë nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske për këtë çështje.
Parku memorial nuk do të ndërtohet në vendin ku ishte objekti i spitalit modular, por pak më poshtë.
Në qershor 2025 Nisma Zero së bashku me familjarët e viktimave të tragjedisë në spitalin modular dorëzuan në Komunën e Tetovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë kërkesë ku propozuan që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular të shndërrohet në park memorial publik.
Hapsira ku ishte spitali modular u shndërrua në parking.
Kujtojmë që në nëntor të vitit 2022 drejtori i atëhershëm i Spitalit të Tetovës Amir Elezi paralajmëroi se në këtë në vendin ku ndodhej objekti i spitalit modular, parashihej të vendosej pllakatë përkujtimore për viktimat e tragjedisë. Mirëpo kjo pllakatë nuk u vendos asnjëherë.
Me 8 shtator 2021 në Spitalin Modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.
Deri tani ka pasur dy procese gjyqësore për këtë rast, por të akuzuarit nuk u thirrën në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Në ndërkohë, pavarësisht se kanë kaluar gati tre vite që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular, ende nuk ka vendim.
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.
Pasi fajtorët e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës nuk u sollën para drejtësisë dhe nuk pati proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit, Ibin Emshi i cili humbi babain dhe vëllaun e tij, ka bërë denoncim për vrasje në Itali kundër RMV-së dhe pret që rasti të hetohet ndërkombtarisht dhe të arrijë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.