Qeveria dhe Kuvendi në Tetovë për nisjen e parkut për viktimat e spitalit modular, nisma Zero: Sfilatë para zgjedhjeve
Pak javë para se të mbushen katër vite, deputetët e zonës gjashtë nga pozita dhe ministrat nga kabineti qeveritar u mblodhën në Tetovë për të përuruar fillimin e aktiviteteve për ndërtimin e parkut memorial për 14 viktimat e zjarrit në spitalin modular. Nisma Zero e cila incioi këtë e përshëndet vendimin, mirëpo thonë se funksionarët bënë sfilatë politike para zgjedhjeve lokale, shkruan Portalb.mk.
Parku memorial nuk do të ndërtohet në vendin ku ishte objekti i spitalit modular, por pak më poshtë.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se sot nuk fillojnë vetëm ndërtimin e një parku, por fillojnë ndërtimin e një ndërtese kolektive, të vonuar por të domosdoshme.
“Katër vite më parë në këtë vend ndodhi një tragjedi që nuk guxon të harrohet. Arkitektura ndjek një filozofi kornizë e këputur, e thyer, me shtigje të përthyera , pemë që krijojnë hije reflektimi, një qendër simbolike për të kujtuar dhe premtuar se kjo nuk do të përsëritet më”, tha Aliu.
Nga ana tjetër, nisma ZERO! e përshëndet vendimin e Komunës së Tetovës dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për të realizuar kërkesën e tyre të përsëritur për ndërtimin e një parku përkujtimor publik në hapësirën ku ndodhi tragjedia në spitalin modular.
“Megjithatë, sfilata publike e sotme, e organizuar përmes një konference për shtyp nga Ministri i Shëndetësisë z. Aliu, Zëvendëskryeministri z. Fetai , e zhvilluar vetëm dy muaj para zgjedhjeve lokale, ngre shqetësime serioze për intencën e vërtetë politike pas këtij njoftimi”, thanë nga nisma Zero.
Ata theksojnë se nëse ky veprim synon të shfrytëzojë një tragjedi për përfitime elektorale, atëherë kjo do të përbënte një akt të papranueshëm dhe thellësisht të padenjë, sidomos kur bëhet fjalë për një ngjarje që ka lënë pas vetes dhimbje të thellë, mosbesim qytetar dhe familjarë që ende nuk kanë parë drejtësi të plotë.
“Iniciativa ZERO! do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje procesin e realizimit të këtij parku përkujtimor dhe do të kërkojë garanci të plota për përmbajtje, seriozitet dhe respekt të denjë për viktimat, larg çdo kalkulimi politik dhe vetëm në funksion të së vërtetës dhe drejtësisë që ka munguar për më shumë se katër vite. Do të ishte më e ndershme që në vend të defileve para kamerave, të punohet seriozisht për zbardhjen e rastit dhe jo të bëhen bashkëpunëtorë të heshtur të mosndëshkimit”, thanë nga nisma Zero.

Kujtojmë që muajin e kaluar Nisma Zero së bashku me familjarët e viktimave të tragjedisë në spitalin modular dorëzuan në Komunën e Tetovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë kërkesë ku propozojnë që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular të shndërrohet në park memorial publik.
Hapsira ku ishte spitali modular u shndërrua në parking, ku pati edhe disa vetura të vjetra.
Kujtojmë që në nëntor të vitit 2022 drejtori i atëhershëm i Spitalit të Tetovës Amir Elezi paralajmëroi se në këtë në vendin ku ndodhej objekti i spitalit modular, parashihej të vendosej pllakatë përkujtimore për viktimat e tragjedisë. Mirëpo kjo pllakatë nuk u vendos asnjëherë.
Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.
Deri tani ka pasur dy procese gjyqësore për këtë rast, por të akuzuarit nuk u thirrën në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Në ndërkohë, pavarësisht se kanë kaluar gati dy vjet që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular, ende nuk ka vendim.
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.