Mes këngës së sirenave dhe derës së hapur

Këtë javë e pashë në kinema Odisenë e Christopher Nolanit. Filmi më pëlqeu shumë, pavarësisht polemikave dhe lirive që regjisori ka marrë në interpretimin e poemës homerike. Megjithatë, ky tekst nuk është recension filmi. Filmi ishte vetëm një shtysë për t’iu kthyer një prej tregimeve që më ka magjepsur që nga fëmijëria.

Që kur u njoha për herë të parë me mitologjinë greke, historia e Odiseut më ka lënë përshtypje të veçantë. Edhe babai im fliste me shumë admirim për të, sidomos për episodin e sirenave. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, kjo skenë e filmit më preku më shumë se të tjerat: më riktheu jo vetëm te Homeri, por edhe te kujtimet e fëmijërisë dhe te bisedat e hershme për një hero që nuk fitonte vetëm përmes forcës, por mbi të gjitha përmes mendjes.

Prandaj në filmin që e pashë më së shumti më bëri përshtypje skena e sirenave. Nolan nuk i paraqet ato thjesht si krijesa që joshin burrat me bukurinë ose me këngën e tyre. Ato depërtojnë në ndërgjegjen e Odiseut. E përballin me fajin, turpin, kujtimet dhe të vërtetat nga të cilat ai është përpjekur të ikë. Joshja e tyre nuk është vetëm fizike; është dëshira për ta dëgjuar deri në fund një të vërtetë për veten, edhe kur ajo mund të të shkatërrojë. Në interpretimin e Nolanit, sirenat pothuajse e analizojnë Odiseun përmes këngës dhe e shndërrojnë këtë episod në një krizë të thellë ekzistenciale.

Odiseu e dinte çfarë fuqie kishte kënga e sirenave. E dinte se, kur ta dëgjonte, do të dobësohej dhe do të kërkonte të shkonte drejt tyre, edhe pse kjo do të nënkuptonte vdekjen. Megjithatë, kureshtja nuk e lejonte të kalonte pa e dëgjuar këngën e tyre. Ai dëshironte ta përjetonte të ndaluarën, por njëkohësisht dëshironte të mbijetonte. Prandaj bëri atë që e dallon nga heronjtë e tjerë. U kërkoi shokëve t’i mbyllnin veshët me dyll, ndërsa atë ta lidhnin fort pas direkut të anijes dhe të mos e zgjidhnin, pavarësisht lutjeve apo urdhrave që do t’u jepte nën ndikimin e këngës.

Në këtë episod përmblidhet mençuria e vërtetë. Odiseu nuk mendonte se ishte aq i fortë sa t’u rezistonte sirenave. Përkundrazi, ai e njihte dobësinë e vet. Por ishte mjaftueshëm inteligjent për të menduar përpara dhe për të krijuar një mënyrë që, kur vullneti ta tradhtonte, vendimi i marrë me mendje të kthjellët ta mbronte.

Të njohësh dobësinë nuk do të thotë t’i dorëzohesh asaj. Do të thotë të ndërtosh paraprakisht mbrojtjen tënde. Në një kuptim më të gjerë, edhe ligjet dhe institucionet duhet të jenë si litarët e Odiseut: kufizime që i vendosim vetes kur mendojmë qartë, në mënyrë që të mos veprojmë në mënyrë shkatërruese kur pushteti, interesi, frika apo tundimi na e turbullojnë arsyen.

Odiseu është luftëtar, por forca fizike nuk është cilësia që e bën atë të veçantë. Ai është heroi i intelektit, strategjisë dhe aftësisë për t’u përshtatur. Ciklopin Polifem nuk e mund me muskuj, por me mendje, duke i thënë se emri i tij ishte “Askushi”. Kur Polifemi kërkoi ndihmë duke bërtitur se “Askushi” po e sulmonte, askush nuk erdhi ta shpëtonte.

Megjithatë, Odiseu nuk është hero i përsosur. Pasi largohet nga ishulli, egoja e shtyn t’i tregojë Polifemit emrin e vërtetë. Ai nuk kënaqet vetëm me shpëtimin; dëshiron që kundërshtari ta dijë se kush e ka mposhtur. Pikërisht ky çast krenarie e ekspozon ndaj mallkimit të Polifemit dhe hakmarrjes së Poseidonit.

Udhëtimi i tij zgjat kaq shumë, ndër të tjera, për shkak të dy kundërshtarëve që nuk kanë domosdoshmërisht pamjen e përbindëshave: egos dhe rehatisë.

Egoja e bën të zbulojë emrin para Polifemit dhe ta zgjasë vuajtjen e vet. Ndërsa te Kalipso ai përballet me një pengesë krejt tjetër. Ajo nuk e kërcënon, por i ofron dashuri, siguri, rehati dhe madje pavdekësi. Ishulli i saj është vendi ku Odiseu mund ta harrojë Itakën dhe detyrimin për t’u kthyer.

Këto janë ndoshta dy prej armiqve më të mëdhenj edhe në jetën tonë. Egoja na pengon të largohemi në heshtje pasi kemi fituar dhe na shtyn të kërkojmë duartrokitje, njohje dhe epërsi. Rehatia, nga ana tjetër, na bind të qëndrojmë aty ku jemi, edhe kur e dimë se kemi një rrugë për të vazhduar dhe një qëllim për të përmbushur. Përbindëshat na detyrojnë të luftojmë. Rehatia na bën të harrojmë se duhet të ecim.

Por Odisea nuk është vetëm tregim për udhëtimin, inteligjencën dhe tundimet. Një nga temat kryesore të saj është edhe ajo që në film përmendet si “ligji i Zeusit”: detyrimi i shenjtë i mikpritjes.

Në botën homerike, i huaji dhe udhëtari ishin nën mbrojtjen e Zeusit. Mikpritësi duhej ta ushqente, ta strehonte dhe ta mbronte mysafirin, shpesh para se ta pyeste se kush ishte dhe nga vinte. Mysafiri, nga ana tjetër, duhej ta respektonte shtëpinë dhe të mos abuzonte me bujarinë e mikpritësit. Shkelja e kësaj marrëdhënieje nuk ishte thjesht mungesë edukate, por cenim i rendit moral.

Kjo traditë na tingëllon jashtëzakonisht e afërt ne shqiptarëve. Shprehja “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” përmbledh pothuajse të njëjtën ide. Shtëpia nuk është vetëm pronë private, por edhe strehë për atë që troket në derë. Miku pritet me bukë, kripë e zemër, ndërsa siguria e tij bëhet përgjegjësi e të zotit të shtëpisë.

Natyrisht, nuk duhet ta romantizojmë tërësisht të drejtën zakonore apo të heshtim për normat e saj patriarkale dhe padrejtësitë që ka prodhuar. Por mund të ruajmë atë që është njerëzore dhe fisnike në të: mikpritjen, besën, mbrojtjen e të pambrojturit dhe respektin ndaj atij që vjen nga larg.

Në një kohë kur i huaji shihet shpesh si kërcënim, kur refugjati bëhet statistikë dhe kur dyert mbyllen me lehtësi, ligji i lashtë i mikpritjes mbetet çuditërisht aktual. Ai na kujton se qytetërimi nuk matet vetëm me aftësinë për t’i mposhtur përbindëshat, por edhe me mënyrën si e trajtojmë njeriun që kërkon strehë.

Ndoshta për këtë arsye Odisea vazhdon të na flasë edhe pas kaq shumë shekujsh: sepse na kujton se udhëtimi më i vështirë nuk është ai drejt Itakës, por ai drejt njohjes së vetvetes — drejt mposhtjes së egos, rezistimit ndaj rehatisë dhe ruajtjes së njerëzores në marrëdhënien me tjetrin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.