Premtime para kamerave, zvarritje prapa tyre: Assesi të fillojë ndërtimi i parkut memorial për viktimat e modularit
Hapësira ku u premtua ndërtimi i parkut memorial për viktimat e Spitalit modular në Tetovë vazhdon të mbetet e paprekur dhe e lënë pas dore. Ndonëse para gati një viti, pak para zgjedhjeve lokale, funksionarë qeveritarë dhe deputetë u shfaqën para kamerave duke bërë homazhe dhe duke premtuar me tone emocionale se viktimat nuk do të harroheshin, sot në terren nuk ka asnjë gjurmë punimesh. Premtimet e bujshme janë zëvendësuar me zvarritje institucionale, ndërsa familjarët dhe qytetarët ende presin realizimin projektit që u prezantua si detyrim moral ndaj viktimave të tragjedisë, shkruan Portalb.mk.
Parku memorial për 14 viktimat e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës vazhdon të mbetet vetëm një tabelë informuese.
Nuk ka asnjë informacion publik se kur do të fillojnë punimet, pasi ka kaluar gati se një vit që nga paralajmërimi i parkut.
Ndonëse për muaj të tërë nuk ishte kërkuar leje nga Komuna e Tetovës për këtë park, nga komuna për Portalb.mk bënë të ditur se tani më është kërkuar leje dhe se e njëjta është duke u procesuar, por pa dhënë afate dhe detaje konkrete se kur është dorëzuar e njëjta dhe kur do të jepet përgjigje.
Ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë e cila është bartëse e këtij projekti dhe nga ku me muaj të tërë nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalbit për këtë çështje, tani na dhanë një përgjigje të përgjithshme, pa ndonjë detaj apo afat konkret.
“Procesi për realizimin e parkut memorial për viktimat e spitalit modular në Tetovë është në vazhdim. Aktualisht po përgatitet dokumentacioni i nevojshëm për shpalljen e prokurimit publik, në përputhje me procedurat ligjore dhe kërkesat teknike të projektit”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga ana tjetër, Nisma Zero, të cilët fillimisht e propozuan krijimin e këtij parku thonë se parku i kujtesës, i premtuar me aq pompozitet para 10 muajsh, sot është shndërruar në prk të harresës.
“As Komuna e Tetovës dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për realizimin e tij, duke dëshmuar se kujtesa për 14 bashkëqytetarët që humbën jetën në tragjedinë e Spitalit Modular nuk është prioritet për institucionet. Parkun e promovuan para kamerave, por e lanë në harresë sapo u fikën ato. Fatkeqësisht, i njëjti fat e ka ndjekur edhe drejtësinë për këtë tragjedi, shumë premtime, shumë deklarata dhe asnjë përgjegjësi reale për fajtorët e vërtetë”, tha Blendi Hodai nga kjo nismë.
Ndërtimi i këtij parku memorial u paralajmërua më 30 korrik 2025, ku në këtë ngjarje morën pjesë deputetë të zonës gjashtë nga pozita, ministra nga kabineti qeveritar dhe funksionarë.

Parku memorial nuk do të ndërtohet në vendin ku ishte objekti i spitalit modular, por pak më poshtë.
Kështu pritet të duket ky park.
Kujtojmë që në qershor 2025 Nisma Zero së bashku me familjarët e viktimave të tragjedisë në spitalin modular dorëzuan në Komunën e Tetovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë kërkesë ku propozuan që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular të shndërrohet në park memorial publik.
Hapsira ku ishte spitali modular u shndërrua në parking.
Kujtojmë që në nëntor të vitit 2022 drejtori i atëhershëm i Spitalit të Tetovës Amir Elezi paralajmëroi se në këtë në vendin ku ndodhej objekti i spitalit modular, parashihej të vendosej pllakatë përkujtimore për viktimat e tragjedisë. Mirëpo kjo pllakatë nuk u vendos asnjëherë.
Me 8 shtator 2021 në Spitalin Modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.
Deri tani ka pasur dy procese gjyqësore për këtë rast, por të akuzuarit nuk u thirrën në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Në ndërkohë, pavarësisht se kanë kaluar gati tre vite që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular, ende nuk ka vendim.
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.
Pasi fajtorët e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës nuk u sollën para drejtësisë dhe nuk pati proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit, Ibin Emshi i cili humbi babain dhe vëllaun e tij, ka bërë denoncim për vrasje në Itali kundër RMV-së dhe pret që rasti të hetohet ndërkombtarisht dhe të arrijë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
- LEXO: Parku memorial për viktimat e modularit ende në letër, asnjë haber nga Ministria e Shëndetësisë
- LEXO: Ministria e Shëndetësisë e harroi parkun memorial për viktimat e modularit, nuk kanë filluar punimet
- LEXO: Parku memorial për viktimat e modularit u shfrytëzua për fushatë politike, nuk është dhënë ende leja
- LEXO: Asnjë lopatë në terren për parkun memorial për viktimat e spitalit modular në Tetovë, zvarritet procesi
- LEXO: Ceremoni para kamerave, zvarritje pas zgjedhjeve: Harrohet parku memorial për viktimat e Spitalit Modular në Tetovë
- LEXO: Dy javë pas promovimit pompoz, asnjë lopatë në terren për parkun memorial për viktimat e zjarrit të modularit
- LEXO: Qeveria dhe Kuvendi në Tetovë për nisjen e parkut për viktimat e spitalit modular, nisma Zero: Sfilatë para zgjedhjeve
- LEXO: Nga tragjedia në ‘deponi veturash’: Kërkohet park përkujtimor në vendin e spitalit modular ku u dogjën 14 persona