Dy helikopterë policie po e shuajnë zjarrin në afërsi të Bllacës, QMK: Intervenimi i vështirë

Një degë e zjarrit është ndërprerë dhe shuar, por mbetet edhe një degë aktive që po përhapet drejt një terreni kodrinoro-malor krejtësisht të paarritshëm. Njoftojnë nga Qendra e Menaxhimit të Krizave. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se, sot nga ora 05.00, oficerë policie nga Njësia e Helikopterëve për Qëllime Policore në Ministrinë e Brendshme, me dy helikopterë të njësisë policore janë aktivë në shuarjen e zjarrit në zonën e Bllacës. Deri në këtë moment janë hedhur më shumë se 30 ton ujë dhe ata ende janë duke vepruar në mënyrë aktive, transmeton Portalb.mk.  

Ndryshe, nga Qendra e Menaxhimit të Krizave, gjithashtu njoftojnë se në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Qytetit të Shkupit, ndërmarrjes komunale dhe një ekip i Kryqit të Kuq me një pishinë nga e cila helikopterët mbushin ujë. 

“Në komunën Çuçer Sandevë, midis fshatrave Bllacë dhe Çuçer, po digjet një pyll i përzier dhe vegjetacion i ulët, dhe ekipet për shuarjen e zjarrit janë ende në terren dhe po intervenojnë në mënyrë aktive. Një degë e zjarrit është ndërprerë dhe shuar, por mbetet edhe një degë aktive që po përhapet drejt një terreni kodrinoro-malor krejtësisht të paarritshëm. Intervenimi është i vështirësuar pasi zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të madhe. Po bëhen përpjekje maksimale për ta vënë situatën nën kontroll”, thuhet në njoftimin e fundit të Qendrës për Menaxhimit e Krizave.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov informoi se kryesisht janë prekur shkurre dhe bimë me kërcell të ulët, pyje dhe barëra me cilësi të ulët, dhe në disa vende zjarri është parandaluar të përhapet në pyllin me pisha me cilësi të lartë rreth poligonit të qitjes Stenkovec.

“Jam mjaft i sigurt se do ta lokalizojmë, por jo se do ta shuajmë për shkak të erës. Sidomos në ato lartësi më të mëdha, besoj se është mbi një mijë metra atje, era krijon probleme shtesë dhe ndryshon drejtim, gjë që është karakteristikë e të gjitha zjarreve, kështu që po luftojmë si zjarrin ashtu edhe erën në të njëjtën kohë”, tha Angellov, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske në konferencën e sotme për media. 

Supozohet se zjarri është shkaktuar nga një bisht cigareje ose ka qenë zjarrvënie e qëllimshme. Nga dita e djeshme është raportuar për zjarre në disa zona të Maqedonisë së Veriut. Autoritetet kanë vënë në shërbim 38 automjete që ishin të papërdorshme dhe të konsumuara. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim do të ketë juridiksion mbi to dhe ato do të përdoren për të ndërhyrë në vende me qasje të vështirë.