Një automjet i djegur në garazhet e qendrës tregtare “East Gate Mall”

Pasditen e sotme është djegur një automjet në garazhet e qendrës tregtare “East Gate Mall” në Shkup, me çka ka intervenuar një ekip i brigadës së zjarrfikësve të Shkupit. Nga brigada informuan për MIA-n se zjarrin e kanë paraqitur vizitorët e qendrës tregtare, pas çka kanë intervenuar me një automjet të zjarrfikësve dhe gjashtë zjarrfikës, transmeton Portalb.mk.

Nga brigada e zjarrfikësve theksuan se intervenimi ka përfunduar, ndërsa para arritjes së ekipit të tyre në “East Gate Mall” veç më kishte filluar shuarja e automjetit të përfshirë nga zjarri.

“Intervenimi ka përfunduar. Bëhet fjalë për një automjet të përfshirë nga zjarri. Shërbimet në “East Gate” veç më kishin filluar ta shuajnë. Pas një ragimi nga vizitorët, është dërguar një automjet me gjashtë zjarrfikës”, deklaruar për MIA-n nga Brigada e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit.

Për shkak të zjarrit, qendra tregtare ishte evakuuar përkohësisht. Shkaqet e zjarrit tani për tani janë të panjohura.

Ndryshe, paraprakisht zjarrfikësit shuan një zjarr në të cilën u dogjën pesë automobila të parkuar nën Kalanë e Shkupit në poligonin e dikurshëm për provim për patent shofer.