Taravari paralajmëroi tërheqje nga politika nëse i humb zgjedhjet

Kandidati presidencial i koalicionit “Vlen”, në të cilin janë bashkuar partitë opozitare shqiptare, Arben Taravari, vlerëson se përparësi para kundërkandidatit direkt Bujar Osmani nga BDI, është karriera e tij e pastër politike, pa skandale dhe afera. Në intervitë për Radion Evropa e Lirë, ai paralajmëroi se, do të tërhiqet nga politika, nëse i humb zgjedhjet, transmeton Portalb.mk.

“Nëse nuk fitojmë në këto zgjedhjem mendoj se ashtu duhet të jetë. Edhe në gjithë botën perëndimore është ashtu, në të gjitha demokracitë e zhvilluara është ashtu. Nëse i humbni zgjedhjet, të paktën para organeve të partisë… edhe pse te ne kishte zhvillime të caktuara, nuk mu lejua nga bashkëpartiake të paktën një palë zgjedhje t’i çojë deri në fund. Ndërsa unë ju thash, kërkoj besimin e gjithë juve. Një pal zgjjedhje deri më 8 maj, nëse nuk fitojmë më 8 maj, unë jam këtu për të dhënë dorëheqje dhe nuk do të kishte forcë që mund të më ndalojë që të mos jap dorëheqje nëse do të ishim të unifikuar dhe nuk do të fitonim. Edhe kështu do të fitojmë”, tha Taravari.

Ai tha se, zgjedhjet presidenciale do të jenë indikator për zgjedhjet parlamentare dhe ai është i bindur se do t’i fitojnë ato.

Taravari Platformën e tij Presidenciale e ka bazuar në katër shtylla, Maqedonia e Veriut e integruar në rajon dhe Evropë,  Maqedonia e Veriut prodhuese e sigurisë, shteti i së drejtës dhe demokracia konsensuale. Po ashtu, ai zotohet se, do të kërkojë nga Kuvendi daljen e Maqedonisë së Veriut nga nisma Ballkani i Hapur.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale filloi më 4 shkurt. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill dhe në to do të garojnë presidenti aktual Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO – DPMNE, Bujar Osmani nga BDI, Maksim Dimitrievski nga ZNAM, Arben Taravari nga VLEN, Biljana Vankovska nga e majta dhe Stevço Jakimovski nga partia GROM.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale është caktuar për 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.