Nga e premtja “One stop shop” në Tabanoc, Toshkovski: Pritjet në kufij do të zvogëlohen

Rritja e ngarkesës në pikat kufitare të vendit gjatë periudhës së festave i ka shtyrë autoritetet të zgjerojnë bashkëpunimin me fqinjët përmes modelit “One Stop Shop”. Këtë të premte, sistemi i integruar kufitar i Maqedonisë me Serbinë pritet të fillojë të funksionojë në pikën kufitare Tabanoc-Preshevë, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Brendshëm, Pance Toshkovski, deklaroi se nga 4 korriku, atje do të kontrollohet vetëm hyrja e njerëzve dhe mallrave në vend.

“Me Serbinë, zyrtarisht do ta vëmë në funksion në fund të kësaj jave, mendoj se të premten ramë dakord të kemi një ceremoni hapjeje dhe fillimi të funksionimit të kësaj metode të kontrollit të pasagjerëve në kufi. Jemi gjithashtu në një fazë bisedimesh intensive me Republikën e Shqipërisë, ku po diskutojmë dy pika kufitare, ku besojmë se lëvizja e qytetarëve përtej kufijve do të lehtësohet me metodën e re të kontrollit të pasagjerëve, të ashtuquajturën “One Stop Shop”, shtoi Pançe Toshkovski.

“Lidhur me Republikën e Greqisë, dje isha në pikën kufitare Bogorodicë, ku përcaktuam se ka kushte për përmirësimin e mbikëqyrjes kufitare në anën tonë. Konkretisht, mund të vëmë në funksion të paktën dy korsi të tjera daljeje me riorganizim, dhe mund të vëmë në funksion një korsi tjetër hyrëse për automjetet e mallrave”, thotë Pançe Toshkovski.

Kjo u njoftua pas takimit dypalësh të Ministrit Toshkovski me homologun e tij lituanez Vladislav Kondratovich, i cili është për vizitë zyrtare në Shkup, ku dy ministrat nënshkruan një Marrëveshje për Ripranim dhe Bashkëpunim Policor Ndërshtetëror.

Kujtojmë që së fundmi sistemi “One Stop” u zbatua me Kosovën në pikën kufitare Bllacë – Han i Elezit, si dhe në Jazhincë – Glloboçicë.

Ndryshe me 9 maj 2025, u nënshkrua marrëveshja mes Qeverive të Maqedonisë dhe Serbisë për të vendosur kontrolle të përbashkëta në pikën kufitare Tabanoc–Preshevë, e cila pritet të zbatohet para fillimit të sezonit veror.