Nëse jeni fotografuar për dokumente të reja kah fundi i dhjetorit, as mos u mundoni të prisni radhë për t’i marrë ato

“Nëse jeni fotografuar për dokumente personale pas datës 27 dhjetor, as mos u mundoni të prisni dhe të zini vend, më mirë ikni, nuk kanë ardhur tek ne”. Kështu iu drejtuan sot punonjësit e MPB-së njerëzve që prisnin për t’i marrë dokumentet personale, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Por “rruga” që duhet ta kalojnë dokumentet e reja personale është njësoj sikur të silleshin nga një vend tjetër. Pra, edhe pse qytetarëve të cilët janë fotografuar për pasaportë, letërnjoftim apo patentë shoferi u thuhet të vijnë t’i marrin ato pas 15 ditësh, ato nuk janë gati as edhe pas një muaji e gjysmë.

Qytetarët që janë fotografuar presin me orë të tëra në pikën në objektin e RTVM-së, që kur më në fund t’u vijë radha t’u thuhet se dokumenti është përgatitur, por ende nuk është dorëzuar në atë pikë. Tri ditë para se zyrtarisht të hyjnë në fuqi dokumentet me emrin e ri të shtetit – Republika e Maqedonisë së Veriut, kaosi po bëhet gjithnjë e më i madh. Qytetarët humbasin ditë pune në pritje për të marrë dokumentet, u dështojnë udhëtimet zyrtare dhe ato private, e humbasin edhe durimi.

Përveç kësaj, është pothuajse e pamundur të caktohet një termin në numrat e telefonit sepse linja është vazhdimisht e zënë, ose nëse ia dilni mbanë të lidheni, atëherë për disa minuta do të dëgjoni muzikë, pas çka linja do të ndërpritet. Nga Meta.mk dje njoftuan se për dy orë kanë kërkuar plot 204 herë, por që nuk kanë arritur të lidhen. Pas publikimit të tekstit na shkruan dhjetëra qytetarë, ndërsa njëri prej tyre ka arritur të caktojë termin pasi ka kërkuar plot 1.717 herë. Termini i është caktuar për në muajin maj të këtij viti. Një lexuese gjithashtu ka shkruar se bashkëshorti i saj është shofer kamioni jashtë vendit, por meqë pasaporta e tij është plot me vula, ai  duhet ta zëvendësojë atë me një të re dhe se në muajt në vijim atyre u rrezikohet mbijetesa, sepse ai nuk do të mund të punojë.

RMV, dyqind telefonata për dy orë, zero termine për pasaportë dhe letërnjoftim

Është e pamundur të caktohet termin edhe në ueb faqen uslugi.gov.mk, e cila më parë ka funksionuar. Gjatë plotësimit të kërkesës për lëshimin e një pasaporte të re fusha ku duhet të zgjidhet pika ku do të aplikoni nuk funksionon dhe thotë se është çaktivizuar, e me këtë edhe termini.

Prinscreen: Meta.mk
Prinscreen: Meta.mk

Problem kanë pasur edhe qytetarët që gjenden jashtë vendit. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot deklaroi se po gjejnë mënyra për tejkalimin e problemit, gjegjësisht shtetasit e Maqedonisë që gjenden jashtë vendit me pasaportë me emrin e vjetër do të mund të kthehen me dokumente udhëtimi të lëshuara nga përfaqësitë tona diplomatike – konsullore.

Osmani tha se dje ka pasur një takim gjithëditor me të 60 përfaqësitë diplomatike, me të gjithë të punësuarit në secilën nga ato PDK-të.

“Ka njëfarë paniku se ata që nuk kanë pasaporta të reja pas 12 shkurtit do ta humbasin punën, dhe ky panik është sidomos i theksuar tek njerëzit tanë në Berlin, Bon, Minhen, Bernë, Venedik, Romë, Lubjanë… e të tjerë, atje ka një rritje të numrit të kërkesave për dokumente të reja udhëtimi. Nuk ka vend për panik. Ata që do mbeten me pasaportë me emrin e vjetër do të mund të kthehen me dokumente udhëtimi të lëshuara nga PDK-të tona”, thotë Osmani.

Dy stacione të reja mobile janë hapur në Gjermani dhe Itali në mënyrë që të mund të pranojnë aplikime për pasaporta të reja paralelisht me stacionet bazë tashmë ekzistuese.

Në të njëjtën kohë, Greqia i ka njoftuar të gjitha vendet se detyrimi hyn në fuqi pas datës 12 shkurt.

Mendoj se strategjia duhet të jetë që të punohet sikur nuk do të ketë fleksibilitet”, tha Osmani.

Me vendim të ministrit të ri të Punëve të Brendshme, Pançe Tashkovski, nga pardje pika për dokumente personale në SP Prolet nuk funksionon si më parë kur njerëzit mund të vinin për tu fotografuar pa termin. Ajo është shndërruar në një pikë për termine të ricaktuara për të gjithë ata që kanë pasur një termin të rezervuar. Tani ka raste kur personat që, për shembull, kanë pasur një termin në tetor, thirren dhe u ricaktohet një termin për më herët. Por ata që deri më tani ende kanë caktuar një termin i pret një rrugë e gjatë si për të caktuar termin, ashtu edhe për t’i marrë dokumentet.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Për më tepër, zyrtarë të qeverisë në vitin 2018 deklaronin se qytetarët nuk do të kenë asnjë shpenzim shtesë dhe se dokumentet e udhëtimit do të ndryshohen pas skadimit të afatit të tyre.

Por, në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.