RMV, dyqind telefonata për dy orë, zero termine për pasaportë dhe letërnjoftim

Duke qenë se pika për nxjerrjen e letërnjoftimeve në stacionin “Prolet” tashmë funksionon vetëm me termin, linjat e telefonit për termine hapur, ndërsa termine nuk mund të caktohen as online, pasi ka probleme teknike. Qytetarët ankohen se humbin orë e orë në telefon për të marrë termin për nxjerrjen e dokumenteve personale, por që dy ditët e fundit është thuajse e pamundur, transmeton Portalb.mk.

Redaksia e Meta.mk ka telefonuar në numrin 072 929 292 saktësisht 204 herë në periudhën nga ora 11 deri në 13:10, por nuk u arrit të merret termin. Më shpesh, numri është i zënë dhe fiket pas disa sekondash. Nëse jeni me fat dhe këmbëngulës, mund të arrini në pjesën ku zgjidhni gjuhën në të cilën dëshironi të flisni me operatorin, por më pas do të dëgjoni muzikë kot derisa telefonata të mbyllet.

Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk

Me vendim të ministrit të ri të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, nga dje pika për fotografim për dokumente personale në SP Prolet nuk funksionon si më parë, kur njerëzit mund të vinin pa termin, por është shndërruar në pikë për termine për të gjithë ata që kishin të rezervuar një termin.

Në deklaratën e MPB-së thuhet se ky vendim është marrë për vendosjen e rendit në vend të kaosit.

Në rrjetet sociale qytetarët bëjnë të ditur se janë të detyruar të shtyjnë udhëtimet zyrtare dhe private pasi nuk kanë dokumentet e nevojshme për t’u larguar nga vendi.

“Fituam llotarinë djema, më në fund dikush u përgjigj nga ana tjetër e telefonit. Dhe na nderuan me një takim të shenjtë pas dy muajsh, me procedurë më urgjente nuk mund të ndodhte. Zoti na ndihmofte, faleminderit Vlatçe per kompozimin. Mos u dëshpëroni, mrekullitë janë të mundshme”, shkruan një qytetar në rrjetet sociale.

Aktualisht, me letërnjoftime të vlefshme, shtetasit maqedonas mund të udhëtojnë vetëm në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Procesi është i vështirë edhe për qytetarët që janë të gatshëm të paguajnë 100 euro për të marrë pasaportën me procedurë të shpejtë për shkak të linjave të ngarkuara telefonike.

Sipas informacioneve të marra nga MPB-ja, deri dje janë lëshuar 1.112.703 letërnjoftime, 1.297.447 dokumente udhëtimi dhe 575.844 patentë shoferë me emrin e ri kushtetues. Po të merret parasysh regjistrimi i vitit 2021, numri i përgjithshëm i banorëve është 1.836.713, që do të thotë se janë më shumë se gjysmë milioni qytetarë pa dokumente udhëtimi me emrin e ri të shtetit.

Komiteti i Helsinkit: Janë shkelur të drejtat themelore të njeriut për lëvizjen e lirë

Sipas Komitetit të Helsinkit, qytetarët nuk do të mund të gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe themelore të njeriut për lëvizje të lirë, e cila është e garantuar me të gjitha dokumentet dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

E drejta themelore e njeriut, që nënkupton daljen dhe hyrjen e lirë në vend, është e kufizuar për arsye teknike që nuk ofrohen nga shteti dhe institucionet kompetente.

“Një numër i madh i qytetarëve deri më 12 shkurt nuk arritën të pajisen me dokumente të reja udhëtimi dhe shumë qytetarë të Maqedonisë që janë jashtë vendit dhe nuk do të mund të kthehen në atdhe do të mbeten me dokumente të vjetra udhëtimi. Disa janë bllokuar në vendin e tyre dhe të tjerët nuk do të mund të kthehen. Ky lloj çorganizimi prek mijëra bashkëqytetarë tanë dhe çon në shkelje elementare të të drejtave të qytetarëve të cilët për arsye të ndryshme duhet të largohen nga kufijtë e shtetit”, thonë ata.

Po ashtu, Komiteti i Helsinkit konsideron se institucionet e shtetit sillen në mënyrë jashtëzakonisht poshtëruese ndaj qytetarëve të tyre, jo vetëm për shkak të gjithë kaosit rreth nxjerrjes së dokumenteve, por edhe në lidhje me shkeljen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve dhe ata kërkojnë që institucionet kompetente të gjejnë sa më shpejt zgjidhjet e duhura dhe të amortizojnë dëmet që u shkaktojnë qytetarëve.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.