Është zbuluar një grup i organizuar për kontrabandë cigaresh, raportohet për 13 të arrestuar, bastisje në gjashtë qytete
Në një aksion të madh me emrin e koduar “Filter”, që nga mëngjesi i sotëm janë arrestuar 13 persona, ndërsa po kryhen bastisje në më shumë se 20 lokacione në Gjevgjeli, Vallandovë, Strumicë, Dojran, Veles dhe Shkup, me qëllim të luftimit të një sistemi të organizuar për kontrabandë cigaresh. Siç raporton MIA, në aksion janë përfshirë kompani të spedicionit, transportit dhe importit, persona fizikë, si dhe zyrtarë policorë dhe doganorë.
Drejtoria Doganore, në koordinim me MPB-në, Byronë për Siguri Publike dhe Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka zhvilluar një hetim përmes të cilit janë zbuluar disa raste të kontrabandës së organizuar të sasive të mëdha të cigareve dhe shmangies së pagesës së detyrimeve në vlerë prej disa milionë eurosh.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit konfirmoi se është duke u zhvilluar një aksion i koordinuar me emrin e koduar “Filter 2”, i cili, nën drejtimin e një prokurori publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, po realizohet nga Drejtoria Doganore dhe Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë pranë MPB-së – BSP.
“Aksioni është rezultat i një hetimi kriminalistik për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se janë kryer disa vepra penale, ndër të cilat kontrabandë dhe mashtrim doganor, me ç’rast është shkaktuar dëm në buxhetin shtetëror në përmasa të mëdha. Pas përfundimit të aktiviteteve, publiku do të informohet më tej”, njoftoi Prokuroria.