Bëhen virale mesazhet ku Grubi porosit drejtorët e BDI-së të mos pranojnë asnjë vendim të ministrit Mexhiti

Drejtorët e BDI-së, për të cilët ministri në largim i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, dje tha se ishin me pushim mjekësor ose duke shfrytëzuar pushimin vjetor, pas udhëzimit të zëvendëskryeministrit Artan Grubi, e kanë “anashkaluar” Mexhitin që të mos merrte ndonjë vendim eventual për zëvendësimin e tyre. Këtë e tregon një komunikim në viber në një grup të titulluar “Funksionarët e BDI-së”, ku Grubi u shkruan që të përdorin gjithçka që munden ose thjesht të mos e pranojnë vendimin e Mexhitit, nëse ka ndonjë të tillë, transmeton Portalb.mk.

“Të nderuar, asnjë drejtor i joni të shëndetësisë TË MOS PRANOJË asnjë vendim të ministrit në largim Fatmir Mexhiti nëse duhet pushim, pushim mjekësor, ose thjesht të mos e pranojë vendimineventual të ministrit”, thuhet në mesazhin e Grubit.

Siç raporton Alsat, disa nga drejtorët e BDI-së në sektorin e shëndetësisë janë paraqitur sot në punë e disa të tjerë jo. Kjo si rezultat i udhëzimeve që ata kanë marrë nga Artan Grubi.

Edhe Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti gjatë ditës së djeshme konfirmoi se zëvendëskryeministri Artan Grubi ka porositur drejtorët që të mos shkojnë punë dhe sipas Mexhitit, ata edhe këtë e kanë bërë duke mos u paraqitur në vendet e punës ditën e enjte.

“Mesazhet që i ka shpërndarë Artan Grubi tek drejtorët e BDI-së, unë nuk i quaj drejtorë të BDI-së, por drejtorë të Ministrisë së Shëndetësisë. U apeloj të gjithë drejtorëve që të rrinë rehat se ata janë drejtor të mi edhe pushim mjekësor merret kur vërtet një person është i sëmurë, kjo është vërtet keqpërdorim që së paku nuk duhet ta bëjnë drejtuesit e institucioneve shëndetësore publike”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Këto porosi të Grubit për drejtorët e BDI-së kanë ardhur pas përplasjes mes Selës dhe Taravarit, ku ky i fundit i është bashkuar opozitës, ndërsa dy ministrat në shkarkim e përkrahën këtë vendim.