Aparati shtetëror në RMV në “gjueti” të keqpërdorimeve: “Në pushim mjekësor, por në Antalia”
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se ndryshimet e reja në rregullat për pushimin mjekësor synojnë të parandalojnë keqpërdorimet, transmeton Portalb.mk.
“Kemi shumë keqpërdorime dhe pikërisht këto ndryshime të reja synojnë t’i rregullojnë ato. Kemi situata ku njerëz paraqiten sikur janë në pushim mjekësor, ndërkohë që fotografohen duke pushuar në Antalia”, deklaroi Klekovski.
Ai tha se shkurtimi i periudhës për të cilën pushimi mjekësor mund të miratohet pa dëshmi nga shtatë në pesë ditë nuk duhet të konsiderohet si dënim për qytetarët, por si ndryshim që synon verifikimin e rasteve kur sëmundja nuk është e dëshmuar.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili tha se keqpërdorime të tilla nga aparati shtetëror kanë ekzistuar prej vitesh.
“Të gjithë e dimë që vitet e fundit, jo në dy vitet e fundit, as në pesë e as në 10 vitet e fundit, ndoshta që nga pavarësia e shtetit, kemi keqpërdorime katastrofale nga ana e disa qytetarëve në këtë mënyrë, nga aparati shtetëror, nga numri i madh i qytetarëve dhe nga numri i madh i të papunëve, si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe nga institucionet private”, tha Toshkovski.
Me kërkesë të Ministrisë së Brendshme, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në gjysmën e dytë të vitit 2025 kontrolloi 80 punonjës me gjithsej 514 leje mjekësore. Parregullsi u përcaktuan në 29 persona, pra në rreth 37 përqind të punonjësve të kontrolluar. Nga gjithsej 514 leje mjekësore të kontrolluara, 100 u vlerësuan si të lëshuara në mënyrë të parregullt. Kontrolli përfshinte gjithashtu 105 institucione private shëndetësore, dhe parregullsi u përcaktuan edhe në disa mjekë dhe komisione mjekësore.