Në RMV, u shënua Dita e fitores mbi fashizmin dhe Dita e Evropës

Me një sërë aktivitetesh, në Maqedoninë e Veriut sot është shënuar 9 Maji – Dita e fitores mbi fashizmin dhe Dita e Evropës. Në varrezat partizane në Butel është mbajtur manifestimi qendror, ku delegacioni shtetëror dhe organizatat e ndryshme kanë vendosur lule dhe kanë dhënë nderime për luftëtarët që humbën jetën kundër fashizmit.

Në ngjarjen e organizuar me nderime të larta shtetërore, për nder të luftëtarëve të rënë në LÇP, vendosën lule dhe shprehën respektin e tyre edhe Bashkimi i Luftëtarëve nga LANÇM, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësues nga Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, delegacioni i Armatës dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe delegacioni i Qytetit të Shkupit, delegacion i korit diplomatik dhe përfaqësues të partive politike.

Manifestim u mbajt edhe para Qeverisë, ku kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në emër të Qeverisë dhe në emër të tij, uroi 9 Majin, Ditën e Fitores kundër Fashizmit dhe Ditën e Evropës.

“Përulemi para luftëtarëve që dhanë jetën për mundjen e fashizmit, nga rrënojat e të cilit lindi shtetësia maqedonase. Gjithashtu shprehim respekt ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në idenë e madhe evropiane dhe ndërtimin e Bashkimit Evropian. Vendi ynë është gjithmonë përmes veprave në anën e historisë së vërtetë. Ishte në fushëbetejat e Luftës së Dytë Botërore, në mesin e forcave progresive antifashiste. Është edhe sot krah për krah në NATO dhe me shtetet anëtare të BE-së, në mbrojtje të paqes. Jemi në rrugën e përparimit- amaneti ynë nga partizanët, gjuha jonë maqedonase njihet në mënyrë të barabartë ndër gjuhët evropiane dhe si model i suksesshëm i një shteti multietnik, shtëpia e të gjithë qytetarëve, siç është Evropa, vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Me rastin e 9 Majit, zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq tha se shtetet evropiane e bënë të pamundurën më 9 maj 1950 dhe se “ne deri 9 maj të vitit 2030 mund të bëjmë të mundshmen që të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian”.

“Sot ne po luftojmë për të njëjtat vlera dhe synime për të cilat Gjermania dhe Franca bënë hapa historikë pas Luftës së Dytë Botërore. Ky është bashkimi. Bashkëpunimi ekonomik. Të jesh në të tënden dhe në të njëjtën kohë t’i përkasësh diçkaje shumë më të madhe. Të lëvizësh lirshëm, të punosh lirshëm. Të kontribuosh dhe të marrësh”, tha Mariçiq.