Apeli për të dytën herë e shfuqizoi aktgjykimin lirues për Llatasin në rastin “Lëndina”

Gjykata e Apelit të Shkupit nëpërmjet një kumtese, njofton se më 5 maj të këtij viti e ka shfuqizuar aktvendimin për rastin “Lëndina” kundër gazetarit kontrovers, Dargan Pavoviq Llatas dhe vëllezërve të tij, Sërgjan dhe Zvezdan Llatas, njofton Portalb.mk.

Kjo është hera e dytë që Apeli e shfuqizon aktgjykimin lirues për Llatasin dhe vëllezërit e tij.

Lënda “Lëndina” u hap nga ish Prokuroria Speciale Publike, e cila i akuzon ata për vepër penale të ndërtimit të paligjshëm. Lënda tani është nën kompetenca të Prokurorisë Themelore Publike. Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë filluar ndërtimin e objekteve kontestuese, por më vonë kanë kërkuar leje dhe shtëpitë e tyre janë legalizuar sipas procedurës ligjore për legalizim të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Rasti “Lendina” ka të bëjë me ndërtimin e tre vikend shtëpive në Zelenikovë, duke mos e respektuar ligjin. Fillimisht është ndërtuar, ndërkaq më pas është dhënë leje për ndërtim, gjë që dënohet me ligj.