Në Maqedoninë e Veriut më shumë se 250 zjarrfikës vullnetarë janë paraqitur për zjarret në verë
Ekipet e Reagimit të Shpejtë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim do të kenë mundësi të llogaritin në 250 zjarrfikës vullnetarë nga shoqata të ndryshme, transmeton Portalb.mk.
“Kërkoj që të respektoni parimin tim themelor: ‘Siguria para së gjithash!’ Siguria juaj gjithmonë duhet të jetë në vend të parë! Jetët tona mund të rrezikohen vetëm atëherë kur shpëtojmë jetë të tjera njerëzore! Sepse pemë, shkurre dhe bar të rinj përsëri do të rriten, shtëpitë e djegura përsëri do të ndërtohen, por jeta e humbur nuk mund të kthehet më. Siguria para së gjithash!”, tha drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.
Angellovi ka vlerësuar se Maqedonia e Veriut tashmë është përgatitur për zjarre, ndërkohë zhvilloi takim me vullnetarët.
Në Maqedoninë e Veriut deri në orën 18:00 janë regjistruar gjithsej pesë zjarre në hapësirë të hapur, ashtu që njëri është aktiv, njëri është nën kontroll, ndërsa tre janë shuar.
Ndryshe, “Air Tractor”-ët në fillim të korrikut janë rikthyer në qendër të debatit për mbrojtjen nga zjarret në Maqedoninë e Veriut, pasi Stojançe Angellov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, deklaroi se synimi i tij është blerja edhe e tre avionëve të tjerë për shuarjen e zjarreve, përfshirë edhe një avion me dy ulëse për trajnim. Megjithatë, pas kësaj ambicieje fshihet një paradoks i dukshëm: shteti flet për avionë të rinj, ndërsa prej vitesh përballet me mungesë pilotësh që do t’i drejtojnë ata.