Katër kompani kanë aplikuar në tenderin për furnizimin e autobusëve elektrikë në Shkup
Katër kompani kanë aplikuar në tenderin e përsëritur për furnizimin e autobusëve elektrikë për transport publik në Shkup dhe qytete të tjera në shtet, informoi sot ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, raporton MIA.
“Sot në mëngjes mora informacion se të hënën do ta marr raportin. Katër kompani kanë aplikuar, të hënën do t’ju prezantojmë publikisht me raportin dhe deklaratat në raport. Shpresoj shumë që këtë herë thirrja të jetë e suksesshme dhe të kemi një furnizim të suksesshëm të autobusëve. Shpresoj që përvojat nga thirrja e fundit të jenë një mësim për kompanitë që të përgatisin dokumentacion të mirë dhe cilësor”, tha Nikollovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një vizite në Komunën e Kisella Vodës.
Ai shtoi se, tenderi i ripërtërirë përfundoi të hënën, ndërsa ofertat po shqyrtohen nga një komision vlerësimi i përbërë nga ekspertë nga Ministria e Transportit dhe Fakulteti i Makinerisë, ashtu që kur të marr raportin, do ta ndaj me publikun.
Procedura për furnizim u përsërit pas anulimit të tenderit të mëparshëm për 150 autobusë elektrikë dhe 75 stacione për mbushje. Njëqind autobusë janë paraparë për Shkupin, ndërsa 50 të tjerët për qytete të tjera në shtet.
Ndryshe, në javën e parë të korrikut ka përfunduar thirrja e tretë për furnizimin me autobusë të rinj, por pasiguria mbetet.
Çështja e autobusëve të rinj është zvarritur prej kohësh. Gjatë mandatit të ish-kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, mediat raportuan se pika për furnizimin me autobusë të rinj ishte paraqitur disa herë para këshilltarëve, por nuk mori mbështetjen e nevojshme për t’u futur në rendin e ditës.