Mundësia për nxjerrjen e dokumenteve do të jetë edhe më 29 dhe 30 nëntor në Shkup

Policia e Maqedonisë së Veriut ka sqaruar që pikat për nxjerrjen e dokumenteve personale do të jetë e mundshme edhe më 29 dhe 30 nëntor, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Punëve të Brendshme i informon qytetarët të cilët më datën 29 dhe 30 nëntor kanë të përcaktuar termine për fotografim për ndërrimin e dokumenteve personale në Shkup, se pikat për dhënien e dokumenteve personale do të punojnë me orar të plotë të punës, që do të thotë se terminet e përcaktuara do të realizohen”, sqaroi Policia.

U kërkua që qytetarët të respektojnë terminët e përcaktuara për ndërrimin e dokumenteve më 29 dhe 30 nëntor.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që 30 nëntori (e enjte) të jetë ditë jopune për të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore dhe publike, në zonën e qytetit të Shkupit. Kjo për shkak të mbledhjes së 30-të ministrore të OSBE-së, e cila do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor 2023 në Shkup.

Ndryshe, ministri Oliver Spasovski më 16 nëntor informoi se qytetarët brenda vendit e kanë tejkaluar 80% të zëvendësimit të dokumenteve personale të qytetarëve, pasi më parë në stacionin policor Prolet në Komunën Qendër, banorët e Shkupit do të mund të fotografohen dhe të lënë të dhëna biometrike për të zëvendësuar dokumentet e tyre personale pa termin paraprak.

Marrëveshja e Prespës me Greqinë është nënshkruar më 17 qershor 2018. Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën me dokumente për përdorim ndërkombëtar dhe dokumente për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren jashtë vendit. Marrëveshja thekson se vlefshmëria e këtyre dokumenteve dhe materialeve do të rinovohet në përputhje me emrin dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Kjo dispozitë i referohet dokumenteve për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren edhe jashtë vendit dhe dokumente të tilla janë letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi.

Përndryshe, në mars të këtij viti, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.