Të mërkurën orar i shkurtuar pune, ndërsa të enjten ditë jopune për administratën dhe shkollat ​​në Shkup

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që 30 nëntori (e enjte) të jetë ditë jopune për të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore dhe publike, në zonën e qytetit të Shkupit. Kjo për shkak të mbledhjes së 30-të ministrore të OSBE-së, e cila do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor 2023 në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, u vendos që orari i punës së të gjithë punonjësve në administratën shtetërore dhe publike të territorit të qytetit të Shkupit më 29 nëntor (e mërkurë), të përfundojë në ora 12:00.

Këto konkluzione vlejnë edhe për shkollat ​​fillore dhe të mesme në zonën e qytetit të Shkupit, por nuk vlejnë për çerdhet dhe objektet shëndetësore në zonën e qytetit të Shkupit, të cilat, siç thotë Qeveria, duhet të hartojnë planet e veta për funksionim, në mënyrë që të funksionojnë pa probleme. Qeveria nuk jep më shumë detaje për këtë temë.

Qeveria rekomandon që komunat në qytetin e Shkupit dhe Qyteti i Shkupit t’i zbatojnë konkluzionet. Ky rekomandim vlen edhe për sektorin privat në zonën e qytetit të Shkupit, veçanërisht në zonën e Komunës së Karposhit dhe komunave që gravitojnë drejt qendrës sportive “Boris Trajkovski” dhe hotelit “Aleksandar Palace”.

Këshilli Ministror i OSBE-së është ngjarja më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin. Në Këshillin Ministror pritet të marrin pjesë 76 delegacione të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve, të përfaqësuar në nivel të ministrave të jashtëm ose më shumë se 1000 përfaqësues të delegacioneve.