Gjykimi për zjarrin në Koçan, vajza e të akuzuarit të parë dëshmoi se në diskotekë kishte pajisje kundër zjarrit

Në gjykimin për zjarrin në diskotekën “Puls”, Magdalena Jovanova, vajza e të akuzuarit të parë Dejan Jovanov, dëshmoi se në objekt kishte aparate kundër zjarrit, shenja për daljet dhe ndriçim emergjent. Ajo tha se nuk kishte qenë e pranishme natën e zjarrit dhe se nuk kishte pasur angazhim pune në klub, transmeton Portalb.mk.

Sipas dëshmisë së saj, aparatet kundër zjarrit ndodheshin pranë hyrjes kryesore, skenës dhe banakëve. Ndriçimi emergjent ishte vendosur te disa dyer dhe ishte aktivizuar gjatë një ndërprerjeje të energjisë elektrike.

Jovanova tha se në ngjarje të mëparshme ishin përdorur mjete piroteknike. Ato i menaxhonte një person që nuk e njihte, ndërsa jashtë kishte parë një furgon me mbishkrimin “Piroteknikë”.

Ajo dëshmoi se policia vinte shpesh në klub dhe kontrollonte letërnjoftimet. Sipas saj, vizitorët përdornin derën e pasme për të dalë të pinin cigare, ndërsa aty nuk kishte parë pjesëtarë të sigurimit.

Gjykata nuk lejoi pyetjet e Prokurorisë për menaxhimin e profileve të klubit në rrjetet sociale dhe për përfshirjen e mundshme të Jovanovës në tërheqjen e licencës së fundit nga Ministria e Ekonomisë.

Në seancë dëshmoi edhe zdrukthëtari Sashko Zafirov, i cili kishte kryer punime në objekt në vitet 2012 dhe 2024. Ai tha se Dejan Jovanov e kishte angazhuar me marrëveshje gojore, pa kontratë të shkruar. Zafirov shpjegoi se kishte veshur konstruksionet metalike me materiale druri dhe më vonë kishte punuar në ulëset e separeve. Sipas tij, nuk ishin bërë ndryshime në çati.

Gjykimin e udhëheq gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa akuzën e përfaqësojnë 15 prokurorë. Procesi nisi më 19 nëntor 2025.

Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.