Mickoski: Me ndryshime të tilla kushtetuese, anëtarësimi në BE mund të zgjasë edhe 100 vjet

Mund të kalojnë njëqind vjet dhe anëtarësimi në BE nuk do të ndodhë kurrë, por mund të ndodhë edhe për katër vjet, ishte përgjigja e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në pyetjen për koalicionin paszgjedhor me partitë shqiptarët, kushti i të cilave është që partnerët qeveritarë të bien dakord për ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga Korniza negociatore, transmeton Portalb.mk.

I pyetur për kundërshtimin e partisë së tij për votimin e amendamenteve kushtetuese dhe se si kjo mund të nënkuptojë edhe 10 vite të tjera bllokadë, Mickoski u përgjigj se mund të jetë edhe më shumë.

“Mund të jenë njëqind vjet dhe të mos ndodhë kurrë,” tha Mickoski.

Mickoski në një intervistë për emisionin “360 Gradë” që transmetohet në TVM ka shprehur qëndrimet e tij për temat aktuale, përfshirë vrasjen e dyfishtë të fundit dhe pretendimet për takimet e tij me Ljupço Palevski-Palço, për (mos)pjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së në qeverinë teknike, për kandidatin potencial për president, bartësit e listave parlamentare, për raportet e tij me kolegun e tij nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Koço Angjushev.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.