Osmani: Ndryshimet kushtetuese në Kuvend pasi të shteren të gjitha mundësitë për konsensus

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani tha se propozimi për ndryshimet kushtetuese do të dorëzohet në Kuvend, pasi të shteren të gjitha mundësitë që ky proces të jetë konsensual, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se, në ndërkohë do të punojnë me linjën ideologjike të VMRO – DPMNE-së, e cila i kupton pasoja e izolimit të vendit.

“Mundësitë me VMRO – DPMNE-në po shteren ngadalë, por nuk janë shterur tërësisht. Ende ka shpresë se aty ka mençuri të mjaftueshme, të cilët i kuptojnë këto situata, e kuptojnë momentin dhe se nuk do të luajnë në kartën e radikalëve bullgarë. Për këtë nuk shpejtohet, që të jepet shans, sepse kur do të dorëzohet në mënyrë të njëanshme, është e qartë se debati do të jetë ndryshe. I japim edhe një shansë për racio, të kuptojnë momentin dhe të shohim nëse dikush aty punon kundër interesave të popullit dhe shtetit maqedonas”, tha Osmani duke iu përgjigjur gazetarëve në konferencën e sotme për media.

Ai shtoi se, duke pasur parasysh se, po shteren të gjitha mundësitë me VMRO – DPMNE-në, do të punohet paralelisht “me linjën ideologjike në partinë e cila është për rrugën e shpejtë për integrim të shtetit, ndërsa jo për rrugën e shteteve me çështje të hapura”.

“Jam i bindur dhe veçmë shoh sinjale në VMRO – DPMNE për një ndarje ideologjike në raport me atë që po flas, ka njerëz në VMRO – DPMNE sipas informatave të mia, të cilët argumentojnë me këmbëngulje se, nuk duhet të lëshojmë shansin që tani të bëhët ai dallim i qartë në Kushtetutë se bullgarët këtu janë pakicë. Një linjë komplete ideologjike në VMRO – DPMNE, të cilët i kuptojnë pasojat nga izolimi i shtetit dhe hyrja në rrugën e dytë. Tani krijohen dy rrugë – rruga e shpejtë dhe vendet me konteste të hapura. Prej nesh varet në cilën rrugë do të hyjmë ne. Veç më po shteren të gjitha mundësitë që të bindet VMRO – DPMNE, nuk them se janë shterur, por për këtë do të punojmë paralelisht me këtë linjë ideologjike e cila e don këtë shtet, e don ardhmërinë e tij dhe e sheh si evropian, prosperues”, tha Osmani.

I pyetur kur do të fillojnë takimet e ndara me deputetët e VMRO – DPMNE-së që i ka paralajmëruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, Osmani tha se ka komunikime.

“Ka komunikimi edhe atë jo në formë të presionit por që të elaborohen argumentet, ndërsa të mbetet te ato në fund se në cilën rrugë do ta lënë shtetin”, tha Osmani.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.