Është kapur sulmuesi i dyshuar i bashkëkryetarit të një klubi bullgar në Strugë, MPJ e Maqedonisë bëri thirrje për vetëpërmbajtje

Ministria e Punëve të Jashtme bullgare ka marrë informacion se gjatë ditës së djeshme është kryer sulm ndaj bashkëkryetarit të shoqatës së bullgarëve në Maqedoni “Shemeto”, Bekir Kadrieski, banor i fshatit Llabunishtë, transmeton Portalb.mk.

Nga atje bëjnë të ditur se pas informacioneve për incidentin në Strugë, menjëherë është dërguar një i puësuar në Konsullatën e Përgjithshme në Manastir, për të zbardhur rastin dhe për të vërtetuar nëse ky incident ka përkatësi etnike.

Kadrieski ka thënë për “Nova.bg” se është rrëzuar përtokë, shkelmuar dhe sharë për baza etnike me fjalët “bullgar i pistë”.

Siç shkruan portali bullgar, Kadrieski është shtetas i Republikës së Maqedonisë dhe megjithëse nuk posedon pasaportë bullgare, qëndrimi i tij është se ka identitet bullgar.

Rastin e dënoi edhe partia GERB e Bojko Borisovit, ku shprehimisht vlerësoi se bëhet fjalë për “dhunë të paprovokuar”.

Për ngjarjen konfirmim ka edhe nga SPB Ohër, ku thonë se po punohet për zbardhjen e autorit dhe motivit, si dhe se personi i sulmuar menjëherë pas ngjarjes është shtruar në spitalin lokal.

Në lidhje me sulmin  në fjalë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, e cila bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga kualifikimet e parakohshme deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“Dje, gjatë orëve të mbrëmjes, me personin e dyshuar për sulmin, A.N. nga Veleshta, u realizua bisedë informative dhe është njoftuar prokurori publik. Kjo ngjarje nuk duhet të hedhë hije mbi përpjekjet institucionale për të kultivuar të drejtat dhe interesat e komuniteteve më të vogla, duke përfshirë edhe përpjekjet për të drejtat e garantuara kushtetuese-ligjore për to, mes tyre edhe komunitetin bullgar. I bëjmë thirrje publikut dhe subjekteve politike nga Bullgaria fqinje që t’u mundësojnë institucioneve të shtetit zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe në mënyrë adekuate të procesojë  sipas rregullativës ligjore”, thonë nga MPJ-ja e Maqedonisë së Veriut.

Në janar të këtij viti pati sulm të ngjashëm kur u sulmua shtetasi i RMV-së në Ohër, Hristijan Pendikov. Ai poashtu ishte shtetas i Maqedonisë, i cili deklarohet si bullgar dhe është sekretar i klubit bullgar “Car Boris Treti” në Ohër.

Lidhur me incidentin MPJ bullgare dërgoi notë proteste përmes ambasadores së Maqedonisë së Veriut, Agnesa Rusi Popovska, ndërsa më pas u mbajtën protesta para ndërtesës së Komisionit Evropian (KE) në Sofje për të mbrojtur të drejtat e bullgarëve në vend. Demonstruesit, të mbështetur nga partitë nacionaliste Prerodba dhe VMRO, kërkuan që BE të ndalojë menjëherë negociatat me Shkupin.