Mickoski për propozimin për shkurtimin e festave: Të respektohen të drejtat e fituara të punëtorëve
Të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të respektohen dhe këtu nuk kam asnjë dilemë, tha kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me propozimin e Odës Ekonomike të Maqedonisë për uljen e numrit të ditëve jopune për festat për punëtorët, transmeton Portalb.mk.
“Në parim mendoj se të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të respektohen dhe këtu nuk kam asnjë dilemë”, tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Përgjigjja e Mickoskit vjen pasi dje Oda Ekonomike e Maqedonisë në një konferencë për media njoftoi se së shpejti do t’i dorëzojë Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës propozim-ndryshime në Ligjin për Festat, me të cilat numri i ditëve jopune, në mënyrë indirekte, do të reduktohej në 13, ndërsa festat që bien të dielën nuk do të zhvendoseshin më si ditë jopune të hënën.
Sipas menaxheres së projektit në Odën Ekonomike, Aneta Dimovska, propozimi nuk parashikon anulimin e festave ekzistuese, por rishikimin e së drejtës për shfrytëzimin e ditëve jopune.
Ndaj këtij propozimi reaguan menjëherë edhe përfaqësuesit e sindikatave, të cilët u shprehën kundër tij, pasi me të do të reduktohej numri i festave për punëtorët.