Rregullorja e Arsimit vetëm në maqedonisht, BDI pyet nëse Kushtetuesja po i jep goditjen e radhës gjuhës shqip
Në seancën e nesërme të Gjykatës Kushtetuese është në rend dite ndër të tjera është edhe Rregullorja për mënyrën e udhëheqjes, formën dhe përmbajtjen e evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme, e miratuar nga ministrja e Arsimit dhe e publikuar në “Gazetën Zyrtare”. BDI thotë se kjo rregullore është kontestuar nga aspekti kushtetues, pasi është publikuar vetëm në gjuhën maqedonase, ndonëse, sipas partisë, ekziston obligim ligjor që të publikohet edhe në gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk.
“E njëjta është kontestuar nga aspekti kushtetues, respektivisht e njëjta rregullore bie ndesh me Amendamentin 5 të Kushtetutës së RMV-së dhe nenin 17 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, sepse kjo rregullore në Gazetën Zyrtare është publikuar vetëm në gjuhën maqedonase, edhe përkundër faktit që ekziston obligim ligjor për publikimin e së njëjtës edhe në gjuhën shqipe. Amendamenti 5 i Kushtetutës është shumë i qartë, për më tepër, neni 17 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve parasheh që të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet nga ana e institucioneve të cilat botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë, botohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj dhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj”, tha në konferencë për medit, Sekretari i Përgjithshëm të BDI-së, Arbër Ademi.
Ai iu referua edhe nenit 8 të Ligjit për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera dhe akteve në “Gazetën Zyrtare” të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se edhe ky ligj parasheh publikimin e akteve të organeve të pushtetit shtetëror në të dyja gjuhët.
Sipas Ademit, rëndësia e publikimit të akteve është vërtetuar edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese. Ai përmendi vendimin e vitit 2023, të evidentuar me U.nr. 89/2023, me të cilin Gjykata kishte shfuqizuar një udhëzim të publikuar në “Gazetën Zyrtare”.
“Kushtetuta si akti më i lartë juridik, Ligji për përdorimin e gjuhëve si ligj special për përdorimin e gjuhëve, si dhe Ligji për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera dhe akteve në Gazetën Zyrtare të RMV-së, që të gjithë parashohin obligim zyrtar të institucioneve, ex officio, që të gjitha aktet që publikohen në Gazetën Zyrtare të publikohen në dy gjuhë. Çdo jurist e di mirë relevancën e çështjes së publikimit të akteve dhe efektin e saj. Këtë e di edhe Gjykata Kushtetuese, e cila e vërteton këtë fakt në vendimin e saj në vitin 2023, të evidentuar në U.nr. 89/2023, me të cilin e shfuqizon Udhëzimin për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit për mënyrën e mbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe shkresave, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut me nr. 125, më 15.06.2023”, tha Ademi.
“Vetë publikimi i ligjeve dhe i akteve të tjera normative përbën aktin e shpalljes së këtyre akteve dhe vënien e tyre në dispozicion të publikut”, citoi Ademi vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se, bazuar në këtë praktikë, publikimi i akteve nuk mund të trajtohet vetëm si çështje teknike, por lidhet edhe me garancitë kushtetuese të lirive dhe të drejtave themelore.
Në këtë kontekst, Ademi ngriti disa pyetje për Gjykatën Kushtetuese: nëse mospublikimi i rregullores edhe në gjuhën shqipe përbën shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse, nëse kjo mund të hapë rrugën që në të ardhmen edhe ligjet të publikohen vetëm në gjuhën maqedonase dhe pse, sipas tij, Gjykata po e ndryshon praktikën e saj të mëparshme kur bëhet fjalë për gjuhën dhe të drejtat e shqiptarëve.
Kujtojmë se në vitin 2023, Gjykata Kushtetuese anuloi udhëzuesin për vendosjen e përkatësisë etnike në certifikata të Ministrisë së Drejtësisë, duke vlerësuar se nuk ishte respektuar afati kushtetues për publikimin e tij në “Gazetën Zyrtare”. Gjykata atëherë theksoi se publikimi i akteve normative është pjesë e procesit të vënies së tyre në fuqi. Ndërkohë, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe vazhdon të jetë një nga temat kryesore para kësaj gjykate. Lënda për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, e formuar që nga viti 2019 dhe e aktivizuar në tetor 2024, ende nuk ka marrë epilog përfundimtar, ndërsa seanca përgatitore është shtyrë edhe për shkak të përbërjes jo të plotë të Gjykatës Kushtetuese.