Mbi 50 poetë të rinj garuan në Tetovë, Merita Isaku mori çmimin e parë për poezinë “Shend e verë”

Shoqata e Shkrimtarëve “OENEUM” në Tetovë, në përputhje me misionin e saj për promovimin e letërsisë shqipe dhe afirmimin e krijimtarisë së re letrare, realizoi me sukses konkursin letrar “Festivali poetik Krijuesit e rinj 2025”, i cili u mbajt në Amfiteatrin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Nikolla Shtenj” në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Manifestimi u zhvillua në kuadër të orës poetike “Odeoni i rinisë”, me karakter garues dhe edukativo-kulturor. Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 50 poetë të rinj, përfaqësues të shkollave dhe institucioneve arsimore nga mbarë trojet shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Pjesëmarrësit prezantuan krijimet e tyre poetike përmes recitimeve, duke reflektuar nivel të kënaqshëm artistik, pjekuri tematike dhe qasje bashkëkohore ndaj shprehjes poetike.

Hapjen zyrtare të manifestimit e bëri Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve “OENEUM” në Tetovë, Sadije Aliti, e cila theksoi rëndësinë e kultivimit të talentit të ri letrar dhe rolin e shoqatës në krijimin e hapësirave institucionale për zhvillimin e poezisë rinore.

“Jemi tubuar këtu, në këtë mjedis të bukur, për të dëgjuar këngën e rinisë, zërin e dëshirave, zërin e inspirimit e  motivimit të tyre, të shprehur në vargjet poetike, me të vetmin qëllim që të nxit penat e reja për të krijaura, që nesër ndohta do të jenë zëri i qytetit tonë, zëri që dë shënojë emër në krijimin artistik letrar”, tha mes tjerash Aliti.

Sadije Aliti kryetare e shoqatës “Oeneum”. Foto: Muaxher Haruni
Sadije Aliti kryetare e shoqatës “Oeneum”. Foto: Muaxher Haruni

Me fjalë përshëndetëse u paraqit edhe përfaqësuesi i Komunës së Tetovës, Nazmi Dauti, i cili theksoi: “Komuna e Tetovës ka dëshmuar se çdo herë është në mbështjetje të organizimeve të ndryshme kulturore duke mbështetur aktivitete programore që kanë për qëllim nxitjen e talentëve të rinj, por njëherit kanë edhe frymë edukuese e kulturore, edhe më tej do të ndjekim këtë vijë”, tha Dauti.

Elif Dava, nga Unioni i Studentëve të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Nikolla Shtenj”, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e kulturës dhe arsimit, sidomos me të rinjtë në sferën e krijimit artistik si mjaft motuvues.

Programi u moderua nga Behare Neziri, e cila siguroi mbarëvajtjen profesionale dhe koherente të manifestimit.

Vlerësimi i krijimeve poetike u bë nga një juri profesionale e përbërë nga Ejup Ajdini, Daim Iljazi dhe Rami Kamberi, të cilët, mbi bazën e kritereve estetike, artistike dhe shprehëse, ndanë këto çmime: vendi i parë i takoi Merita Isakut, për poezinë “Shend e verë”, vendi i dytë u nda mes Azra Alisë me moezinë ”Drita e diturisë” dhe Amra Osmanit me poezinë ”Plisi i bardhë”, ndërsa në vendin e tretë u plasuan: Albion Rexhepi me poezinë “Zgjohu”, Yllza Sulejmani me poezinë “Udhëtim pa hartë” dhe Merve Sadikova me poezinë “O njeri”. Juria përgëzoi të gjithë konkurentët se të gjithë janë fitues në këtë konkurs poezie, vetë pjesëmarja shënon edhe një fitore për ta.

Foto nga “Festivali poetik Krijuesit e rinj 2025”. Foto: Muaxher Haruni
Foto nga “Festivali poetik Krijuesit e rinj 2025”. Foto: Muaxher Haruni

Ky manifestim u mbështet financiarisht nga Komuna e Tetovës, çka dëshmon për përkushtimin institucional ndaj zhvillimit të jetës kulturore dhe nxitjes së krijimtarisë letrare te të rinjtë.