M-NAV: Është hapur hetim për një incident më 7 shtator, në të cilin është shmangur përplasja e dy avionëve në qiellin e Shkupit
Pas njoftimeve për evitimin e incidentit me përplasjen e dy avionëve në qiellin e Shkup që ka ndodhur më 7 shtator, ofruesi i shërbimit të navigimit M-NAV njofton se në afatin e caktuar është dorëzuar raport dhe se është hapur hetim për të përcaktuar gjendjen aktuale dhe arsyet. M-NAV thekson se ngjarje të tilla, si kudo në Evropë, raportohen dhe përpunohen gjithmonë me kohë nga të gjitha departamentet përkatëse, transmeton Portalb.mk.
“Më datë 7 shtator në ora 18:30 është dorëzuar raport për një incident sigurie brenda afatit të caktuar nga përmbaruesit që kanë punuar në sektorin e prekur. Sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara, raportimi është regjistruar nga departamenti IMS (Integrated Management Systems) dhe është dorëzuar në Agjencinë e Aviacionit Civil. Gjithashtu, sipas procedurave të vlefshme, nga ana e departamentit të IMSs-së është hapur hetim për përcaktimin e situatës reale dhe shkaqeve të ngjarjes. Dëshirojmë të theksojmë se ngjarje të tilla, si kudo në Evropë, gjithmonë raportohen dhe procedohen me shpejtësi nga të gjitha departamentet, shërbimet dhe institucionet përkatëse, në përputhje me procedurat ligjore ekzistuese”, thuhet në njoftimin e M-NAV.
Paraprakisht, Agjencia e Aviacionit Civil (AAC) ka konfirmuar se janë duke vepruar në një ngjarje të raportuar nga M-NAV.
“Ofruesi i shërbimit të navigimit M-NAV ka raportuar në mënyrë të rregullt ngjarjen dhe AAC do të veprojë për të”, kanë thënë për MIA nga AAC.
Sipas faqes për gjurmimin e fluturimeve Flytradar 24, siç raporton SDK.mk, aeroplanët e Turkish Airlines dhe Sanexpress për pak u përplasën në qiell mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit më 7 shtator në orën 18:32.
Bëhet fjalë për avionin e “Turkish Airlines” në fluturimin nga Madridi në Stamboll dhe avionin “Sanexpred” nga Dalaman i Turqisë për në Londër, Gatwick. Tridhjetë sekonda para se të ndaheshin, avionët ishin në të njëjtën lartësi prej 36,000 këmbësh. Para se të ndaheshin, një avion ishte ngjitur në 36,325 këmbë dhe tjetri kishte zbritur në 35,475.
Sipas rregullave të trafikut ajror, duhet të ketë 2 mijë këmbë në distancë vertikale ndërmjet avionëve.
Kujtojmë se më 5 janar të këtij viti, disa persona, në krye me Bekim Nezirin, hynë me dhunë në M-NAV pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetrë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.
Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria e RMV-së, më 9 janar, t’i shkarkojë drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV zyrtarizoi shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre emëroi Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.