Dezinformimi i sofistikuar dhe çrregullimet e informacionit: Krijimi i terrenit për aktorë të huaj keqdashës në Kosovë
Ballkani Perëndimor vazhdon të përballet me ndërhyrjet keqdashëse nga jashtë, të cilat shfaqen gjithnjë e më shumë përmes fushatave të sofistikuara të dezinformimit, të krijuara për të manipuluar opinionin publik dhe për të minuar institucionet demokratike. Përdorimi i çrregullimeve të informacionit, përfshirë dezinformimin, keqinformimin dhe format e tjera nga akterët keqdashës, është shndërruar në mjet për të nxitur përçarje dhe për të polarizuar shoqërinë, shkruan Sbunker.
Prodhimi i dezinformatave nuk kufizohet vetëm në aktorët lokalë e rajonalë. Fuqitë e jashtme, veçanërisht ato me prirje autoritare, e shohin Ballkanin si një fushë shahu gjeopolitike, ku dezinformimi ka kosto më të ulët, por ndikim të madh në arritjen e qëllimeve strategjike.
Ky rrezik është veçanërisht i lartë në Kosovë, për shkak të konfliktit të pazgjidhur me Serbinë. Kosova është gjithashtu pjesërisht e njohur ndërkombëtarisht dhe përdoret nga shtetet si Kina dhe Rusia për t’i shtyrë përpara agjendat e tyre.
Për ta trajtuar këtë dukuri negative, në dhjetor 2021, Sbunker-i është bërë pjesë e rrjetit të mediave dhe gazetarëve hulumtues nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të projektit “Western Balkans Anti-Disinformation Hub”, i cili ka për qëllim verifikimin e fakteve dhe demaskimin e artikujve të rremë, në mënyrë që publiku të informohet në mënyrë të saktë.
Nga monitorimi trevjeçar i Sbunker-it, mund të konkludohet se burimet kryesore të dezinformimit janë portalet që shpërndajnë lajme të rreme, përfshirë përkthimin e lajmeve të huaja me përmbajtje dezinformuese. Disa portale online janë të lidhura me parti politike dhe grupe të interesit, të cilat përdoren sidomos në kohë zgjedhjesh.
Një hulumtim për mjedisin e informacionit në Kosovë, i realizuar nga NDI-ja, konstatoi se ekziston një treg i fuqishëm vendor për dezinformim. Intervistat me akterët kryesorë nga partitë politike, shoqëria civile, media, industria e teknologjisë dhe qeveria, zbuluan se akterët politikë nga i gjithë spektri përdorin portalet e lajmeve si vende dezinformimi dhe rregullisht prodhojnë dezinformata, duke u përpjekur të arrijnë përfitime afatshkurtra politike dhe të lëkundin bindjet e elektoratit.
Në rrafshin ndërkombëtar, dezinformatat vijnë kryesisht nga Serbia, duke përfshirë mediat pro-qeveritare e zyrtarët shtetërorë serbë. Ato transmetohen gjerësisht në mediat lokale në veri të vendit. Prezente janë gjithashtu dezinformatat nga Rusia dhe Kina, të cilat shpërndahen përmes kanaleve pro-qeveritare, përfshirë agjencitë shtetërore të lajmeve, që cak e kanë kryesisht komunitetin serb në Kosovë.
Qëllimi i këtij raporti është të vërë në pah se si çrregullimet e informacioneve përdoren për të ndikuar negativisht në diskursin publik në Kosovë dhe rajon, duke u fokusuar në ndërveprimin mes medias, teknologjisë dhe zhvillimeve gjeopolitike. Në veçanti, ky raport do të fokusohet në llojin e dezinformatave në Kosovë, si dhe dezinformatat nga vendet e huaja.
Dezinformimi sintetik: Trend i ri dhe i sofistikuar teknologjik për përhapjen e rrenave të thella (deepfake)
Përparimi i skajshëm teknologjik në fushën e Inteligjencës Artificiale (IA) ka hapur një mundësi të artë për akterët keqdashës që të krijojnë “rrena të thella” (deepfake), duke rritur kështu aftësinë e tyre për të mashtruar dhe manipuluar diskursin publik. Implikimet për Kosovën janë të shumëfishta, pasi këto teknologji keqpërdoren për të shtrembëruar narrativat historike, për të prodhuar situata të paqena në kohë tensionesh, të cilat kanë potencial të madh për nxitje dhune ose trazira.
Dezinformimi sintetik nënkupton përmbajtjen që prodhohet nga IA-ja për të krijuar narrativa përmes pamjeve audio-vizuele që duken realiste, por janë tërësisht të fabrikuara.
Siç është trajtuar në artikullin “Halucinacionet e Inteligjencës Artificiale dhe Dezinformimi Sintetik”, dezinformimi i drejtuar nga IA-ja paraqet sfidë për shkak të aftësisë që të imitojë përmbajtjen autentike të medias, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për publikun të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra dhe njëkohësisht duke rritur gjasat për manipulim më të madh.
Shembulli tipik i kësaj është një audio-incizim i publikuar më 2023, përmes të cilit aludohej se në një bisedë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, flitej për persekutimin e serbëve në Kosovë. Në krye të artikullit, i cili kishte marrë mijëra shikime e shpërndarje në rrjetet sociale, shkruante se në audio-incizim mund të dëgjohej biseda në të cilën ambasadori ankohet se serbëve në veri po u shkelen të drejtat e njeriut. Ndërsa kryeministrit të Kosovës i janë veshur përgjigje kinse i thotë ambasadorit se: “Ne do të vazhdojmë t’i arrestojmë serbët në veri të Kosovës dhe nuk na intereson nëse ata janë fajtorë apo jo”.
Por, artikulli ishte i rremë dhe zërat e dy protagonistëve ishin të manipuluar përmes teknikës së IA-së. Kjo audio manipuluese u publikua në kohën kur tensionet në veri ishin të larta e që u përshkallëzuan deri në përplasje mes protestuesve të dhunshëm, në njërën anë, dhe KFOR-it e Policisë së Kosovës, në anën tjetër.
Përdorimi i dezinformatave për diskreditimin e figurave publike
Në Kosovë, dezinformata të shumta krijohen edhe me qëllim të diskreditimit të figurave publike. Kjo ndodh duke manipuluar me fakte dhe duke shtrembëruar të vërtetën për t’i dhënë më shumë kredibilitet lajmit.
Shembulli tipik i kësaj është platforma “Frontliner”, që udhëhiqet nga Vudi Xhymshiti, një gazetar i vetëquajtur, i cili prodhon lajme sensacionale dhe të rreme, me qëllim të denigrimit të reputacionit të individëve, organizatave dhe institucioneve që kritikojnë punën e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Xhymshiti pretendoi pa bazë se Escobari kishte lidhje të fshehta financiare me Serbinë, duke përhapur informacione që synonin të komprometonin integritetin e një figure të lartë diplomatike të SHBA-së. Këto akuza u hodhën poshtë nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së.
Këto pretendime ishin të motivuara me qëllimin për ta njollosur reputacionin e Escobarit dhe për të minuar besueshmërinë e tij në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një artikull tjetër, Xhymshiti kishte dezinformuar se Escobari po shkarkohet nga detyra për shkak të lidhjeve financiare të familjes së tij me institucione të Serbisë.
Por, Escobari mohoi të gjitha këto akuza, duke i cilësuar ato si gënjeshtra.
Kjo bëhet edhe më e rrezikshme kur ngrihen dyshime për përfshirje të aparatit shtetëror në sajimin e informacioneve të rrejshme, sikurse ky për shkarkimin e Escobarit. Megjithëse Qeveria e Kosovës e mohoi, zëvendëssekretari amerikan Escobar tha se dezinformata për kinse shkarkimin e tij nga Departamenti Amerikan i Shtetit u publikua pasi ai kishte biseduar me qeveritë e rajonit, përfshirë atë të Kosovës, lidhur me tranzicionin e detyrës së tij të re pas përfundimit të mandatit.
Shpërndarja e dezinformatave përmes teorive konspirative
Një trend shqetësues në rritje kohëve të fundit është dhënia e hapësirës televizive individëve që shpërndajnë teori konspirative që nuk mbështeten në asnjë fakt. Mes të tjerash, ka pasur pretendime që kinse “NATO-ja do ta pushtojë Serbinë” apo se “Kampi Bondsteel do të zhvendoset në Nish”.
Konspiracioni i krijuar përmes një videoje satirike që qarkullon prej vitit 2022 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se kinse presidenti Joe Biden ka vdekur dhe se SHBA-ja po udhëhiqet nga vëllai tij, kishte mbërritur edhe në Kosovë. Pavarësisht së është cilësuar gënjeshtër nga verifikuesit e fakteve në SHBA, mediat kosovare e risollën atë përmes konspiracionistëve vendorë.
Gjatë pandemisë COVID-19, një nga teoritë më të përhapura në Kosovë ishte ajo që pretendonte se vaksinat ishin një mjet për të kontrolluar popullsinë globale dhe se ato përmbanin mikroçipe të fshehta për të monitoruar njerëzit. Kjo teori qarkulloi në shumë vende të botës, përfshirë edhe Kosovën, ku pati përhapje të madhe përmes rrjeteve sociale.
Konspiracionistët i përdorin rastet e fatkeqësive natyrore, kur interesi i qytetarëve për të konsumuar informacione është i madh, duke hedhur kështu dyshime rreth shkaktarëve dhe motiveve. Pas tërmetit të 6 shkurtit 2023 në Turqi, konspiracionisti nga Shqipëria, Alfred Cako, tha se tërmeti mund të jetë shkaktuar nga i ashtuquajturi Program i Kërkimit Aktiv Auroral me Frekuencë të Lartë, i njohur si HAARP. Pa iu referuar ndonjë burimi zyrtar apo të dhëne shkencore, Cako pretendonte se tërmeti është shkaktuar nga dora e njeriut, me qëllim të hakmarrjes.
Teoritë konspirative janë hipoteza ose besime që sugjerojnë se situata apo zhvillime të caktuara janë rezultat i komplotit të një grupi të fuqishëm dhe të fshehtë. Teoritë e tilla zakonisht nuk bazohen në fakte të verifikuara, por në spekulime e dezinformata që mund të jenë të dëmshme, dhe kanë për qëllim përhapjen e frikës dhe krijimin e mosbesimit.
Ndikimet e jashtme: Lufta hibride ruse
Kosova nuk është imune as ndaj luftës hibride të Rusisë, e cila u intensifikua pasi ajo nisi sulmin në shkallë të gjerë mbi Ukrainën. Paralelisht pushtimit të Ukrainës, Rusia u angazhua agresivisht në shpërndarjen e informacioneve të rrejshme për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit.
Propaganda ruse kryesisht e ka target komunitetin serb në Kosovë, me qëllim të thellimit të polarizimit etnik. Kjo përfshin përhapjen e narrativave të rreme lidhur me trajtimin e serbëve në Kosovë dhe paraqitjen e shumicës shqiptare si armiqësore ndaj tyre.
Fushatat dezinformuese ruse kanë në shënjestër aspekte të ndryshme, përfshirë ngjarjet historike, politike dhe ndasitë etnike.
Në kuadër të këtyre tentativave, zyrtarët rusë, në një rast, e kishin krahasuar masakrën e Buchas në Ukrainë me masakrën e Reçakut në Kosovë, me pretendimin se të dyja ishin trillime. Shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, ngriti pretendime se trupat e masakruar nuk ishin civilë, por kishin ndërruar rrobat për t’u dukur si civilë.
Përveç justifikimit të pushtimit të Ukrainës përmes analogjisë së tërhequr me rastin e Kosovës, zyrtarët rusë – prej Putinit e deri te ministri i Jashtëm Lavrov – dezinformuan se mercenarë nga Kosova po luftojnë në Ukrainë, edhe pse ky pretendim asnjëherë nuk u dëshmua me fakte.
Ekzistojnë shembuj të ndryshëm që dëshmojnë ngjashmëritë mes narracioneve dhe dezinformatave në Ukrainë dhe Ballkan, që janë identifikuar nga kontrolluesit e fakteve. Në Kiev, një ndër ekipet kryesore të verifikuesve të fakteve është “VoxCheck”, që ka monitoruar 93 media të njohura në gjashtë vende të Europës: Gjermani, Itali, Çeki, Sllovaki, Poloni e Ukrainë. Sipas tyre, shumica e lajmeve ndërlidhen me pretendimet për mercenarët e huaj në luftën e Ukrainës.
Por, lista e shteteve të prekura nga kjo narrativë është më e gjatë. Kjo narrativë, burimin e ka në Ministrinë e Jashtme të Rusisë, e cila, krahas shteteve të tjera në listë, kishte përfshirë edhe Kosovën e Shqipërinë. Edhe pse qasja në mediat ruse për publikun kosovar është e ndaluar, kjo listë kishte nxitur reagime zyrtare nga Kosova. Zyrtarë të Qeverisë patën deklaruar se asnjë shtetas kosovar nuk është duke luftuar në Ukrainë dhe se këto janë pretendime të Rusisë për të arsyetuar luftën në Ukrainë.
Këto dezinformata u përhapën gjerësisht në mediat që kontrollohen prej Serbisë e Rusisë, të cilat kanë shtrirje të papenguar edhe në Kosovë. Institucionet e Kosovës ndërmorën veprime në fushën e sigurisë dhe vendosën sanksione ndaj Rusisë, përfshirë sferën e informimit, me bllokimin e disa kanaleve ruse.
Ndikimet e jashtme: Dezinformatat nga Serbia
Në linjë me narracionin rus për mercenarët, zyrtarët serbë shkuan edhe më larg, duke pretenduar se gjoja në Kosovë paskëshin qëndruar grupe çeçenësh dhe çerkezësh, me qëllim vrasjen e serbëve të armatosur në veri të vendit. Pretendimi ishte ngritur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kishte zënë vend gjerësisht në ballinat e mediave serbe, të cilat u shpërndanë edhe në zonat e populluara me shumicë serbe.
Narrativë tjetër konstante është pretendimi se Qeveria e Kosovës ka synim spastrimin etnik të serbëve nga Kosova. Shkas u mor prej vendimeve të Qeverisë së Kosovës, sikurse ai për reciprocitetin në targa dhe letërnjoftime, por edhe aksionet e shpeshtuara të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve ilegale në veriun e banuar kryesisht me serbë, si dhe arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në krim.
Serbia, përmes mediave pro-qeveritare, për javë të tëra dezinformoi se si serbëve do t’u konfiskohen dokumentet personale në kufi, veprim ky që do t’i paraprinte, sipas tyre, dëbimit përfundimtar nga Kosova.
Megjithatë, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, nuk bëhej fjalë për dëbim, por për vendosjen e letërngjitësve në targat serbe, praktikë kjo të cilën Serbia e ka aplikuar me shtetasit e Kosovës për më shumë se një dekadë.
Diskursi dhe narracionet që Vuçiqi dhe mediat e kontrolluara prej tij kanë ndërtuar ndër vite në raport me Kosovën, u përsëritën edhe pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës. Vuçiqi tentoi ta arsyetonte sulmin, duke thënë se: “çdo ditë ua kanë tërhequr vërejtjen Brukselit dhe Uashingtonit se sulmi ishte pasojë e pakënaqësisë së serbëve lokalë me vendimet e Qeverisë së Kosovës”.
Në gjithë këtë situatë, nuk kanë munguar as dezinformatat, kryesisht në media online dhe rrjete sociale, përmes së cilave u tentua të manipulohej opinioni publik në Kosovë e Serbi.
Shumë dezinformata qarkulluan për numrin e pjesëtarëve të vrarë nga grupi terrorist. Portale të shumta në gjuhën shqipe publikuan shifra të paverifikuara se kinse janë vrarë deri në 15 pjesëtarë të grupit terrorist. Mirëpo, këto lajme u demantuan nga autoritetet shtetërore, të cilat në fund të aksionit konfirmuan tre të vrarë nga grupi terrorist. Manipulime të tjera u bënë edhe përmes fotografive të publikuara nga zona të tjera të konfliktit, ku pretendohej se ishin sulmuesit e vrarë në veri të Kosovës.
Pas publikimit të videos në ditën e sulmit, ku shihej kryeorganizatori i sulmit, Milan Radojçiq, afër Manastirit të Banjskës, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se videoja nuk është nga dita e sulmit. Pasi u konfirmua vërtetësia e videos, ai e pranoi se ka gabuar me deklarata, duke u arsyetuar se dikush ia ka dërguar dhe se të njëjtën nuk e ka verifikuar.
Ndikimet e jashtme: Propaganda kineze
Akter tjetër keqdashës është edhe Kina. Kina përdor kanale mediatike dhe platforma të rrjeteve sociale për të përhapur informacione të rreme me qëllimin që të dëmtojë imazhin e Kosovës dhe të forcojë narrativat pro-kineze. Kjo përfshin edhe pretendime të rreme rreth aktiviteteve të organizatave mediale të pavarura si Sbunker-i, që funksionon përmes granteve nga Perëndimi.
Së fundi, target ishte National Endowment for Democracy (NED), i cili u akuzua pa bazë nga autoritetet kineze për “rrëzim të pushteteve dhe nxitje të përçarjeve në vende të ndryshme të botës”, përfshirë Kosovën.
Raporti i publikuar më 9 gusht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Kinës, me titull “National Endowment for Democracy: Kush është dhe çfarë bën”, ngre pretendime të paqena se NED-i ka financuar prej kohësh OJQ-të në Kosovë, ku specifikisht e përmend Sbunker-in, për të nxitur tensione ndërmjet qeverisë serbe dhe asaj kosovare, duke iu referuar kësaj të fundit si “institucione të përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë”.
Qeveria kineze pretendon se NED-i vepron me direktiva të qeverisë amerikane, për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera, nën maskën e promovimit të demokracisë. Kjo narrativë, jo vetëm që është e rreme, por edhe vlerësim i gabuar i punës së NED-it dhe rolit të tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që ka një histori të gjatë të mbështetjes së institucioneve demokratike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në mungesë të njohjes formale, marrëdhëniet mes Kinës e Kosovës mbeten të ftohta. Por, pavarësisht kontestimit që Kina ia bën shtetit të Kosovës, nuk mungon ndërveprimi. Shteti më i madh aziatik ka tentuar që ndikimin ta shtrijë edhe përmes partnerit kryesor në Ballkanin Perëndimor, Serbisë. Edhe pse jo në masë të njëjtë sa me shtetin serb dhe vendet e tjera të rajonit, ku bashkëpunimi shtrihet në sektorët e ekonomisë, teknologjisë dhe kulturës, shteti komunist është i pranishëm në Kosovë kryesisht nëpërmjet pajisjeve teknologjike.
Kompanitë kineze në fushën e teknologjisë kanë pasur rritje të shpejtë në vitet e fundit, falë çmimeve të lira, por të afta për vëzhgim, ruajtje dhe përpunim të të dhënave. Ky shpërthim teknologjik ka ngritur shqetësime për sigurinë e qytetarëve për shkak të rrezikut që të dhënat e tyre të bien në duart e palëve që kanë qëllime destruktive.
Si të vazhdohet beteja kundër dezinformimit?
Në kohën kur dezinformimi dhe manipulimi i së vërtetës janë bërë mjete të zakonshme për akterët dashakëqij, është jetike që shteti dhe institucionet publike të ndërmarrin hapa për të mbrojtur integritetin e informacionit dhe për të pajisur publikun me edukatën e duhur mediale, ashtu që t’u rezistojë manipulimeve të huaja.
Beteja kundër dezinformimit kërkon një qasje të integruar, ku secili sektor i shoqërisë luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e sistemit mbrojtës karshi ndikimeve keqdashëse. Kosova nuk ka ndonjë legjislacion ose rregullore specifike që trajton dezinformimin, përtej ligjeve standarde të shpifjes.
Një nga mënyrat më efektive për të luftuar dezinformimin është përmes edukimit medial. Duke pajisur qytetarët me njohuritë e nevojshme për të vlerësuar në mënyrë kritike burimet prej nga marrin informacionet, mund të krijohet një mbrojtje e përshtatshme ndaj ndikimeve keqdashëse.
Në rastin e Kosovës, është e domosdoshme që edukimi medial të përfshihet në programet shkollore që nga moshat e hershme. Në këtë mënyrë do të mundësohej krijimi i një brezi të ri qytetarësh që e njeh ekosistemin e ndërlikuar informativ.
Mediat dhe organizatat e shoqërisë civile mund të shërbejnë si roje të pavarura, duke demaskuar propagandat dhe duke u siguruar që publiku të ketë qasje në informacione të sakta dhe të besueshme.
Në këtë kontekst, rrjetëzimi rajonal dhe ndërkombëtar janë të domosdoshëm. Vetëm përmes ndarjes së burimeve, strategjive dhe praktikave më të mira, mund të adresohen suksesshëm kërcënimet e përbashkëta që rrezikojnë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin.
Në këtë drejtim, hap i rëndësishëm drejt promovimit të informacionit të saktë globalisht dhe ndërtimit të një ekosistemi të qëndrueshëm informativ në Kosovë konsiderohet nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.
Fushatat vetëdijesuese janë po ashtu të rëndësishme për të edukuar qytetarët mbi rreziqet e dezinformimit. Synim duhet të jenë grupet e ndryshme demografike, duke përfshirë të rinjtë, të moshuarit dhe komunitetet rurale, që shpesh janë më të ndjeshme ndaj dezinformatave.
Derisa rregullimi i përmbajtjes online dhe mediat sociale janë mjete të rëndësishme për t’i adresuar çrregullimet e informacioneve, është thelbësore që këto masa të zbatohen në atë mënyrë që respektojnë pavarësinë e mediave, të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes. Balancimi midis luftës kundër dezinformimit dhe ruajtjes së këtyre lirive është thelbësor për një demokraci të shëndetshme.