LSM bëri thirrje për protesta masive më 14 mars: “Paga nuk është dhuratë, por rezultat i punës së punëtorëve”

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, bëri thirrje për protestë masive të shtunën, ku punëtorët dhe anëtarët e sindikatës do të dërgojnë përsëri mesazh për rritjen e pagave. Protesta është planifikuar për 14 mars, duke filluar në orën 12:05 para Shtëpisë së Punëtorëve në Shkup. Nga aty, do të vazhdojë para Parlamentit, pastaj para Odës Ekonomike dhe do të përfundojë para Qeverisë, transmeton Portalb.mk.

Trendafilov tha se punëtorët duhet të luftojnë vetë për të ardhurat e tyre sepse të tjerët nuk do të luftojnë për ta, duke shtuar se paga është rezultat i punës së punëtorit, jo dhuratë nga punëdhënësit. Ai tha se rregullimi i propozuar i pagës minimale prej 1.667 denarësh është i pamjaftueshëm në kushtet kur në dy muaj vlera e shportës së pagës minimale të sindikatës është rritur me 2.000 denarë.

“LSM-ja u largua nga seanca e fundit e Këshillit Ekonomik dhe Social për shkak të përpjekjes për të rregulluar pagën minimale vetëm me 1.667 denarë. Ne kemi vendosur të kërkojmë pagë minimale prej 600 eurosh dhe të paktën një rritje prej 6.000 denarësh të pagave të të gjithë punëtorëve të tjerë”, tha ai, duke shtuar se pasi përfaqësuesit e LSM-së u larguan, seanca mbeti pa kuorum, prandaj nuk mund të merrej asnjë vendim.

Sipas ligjit, siç tha Trendafilov, përcaktimi i pagës minimale kërkon mendim nga KES-ja, në të cilin duhet të jenë të pranishme të gjitha organizatat përfaqësuese të punëtorëve dhe punëdhënësve. Ai shtoi se paga minimale duhet të rritet gjatë këtij muaji, duke pasur parasysh se, siç tha ai, rreth 160.000 punëtorë në vend jetojnë me pagë nën kufirin e varfërisë.

Kujtojmë se LSM në shkurt mbajti disa protesta duke bllokuar institucionet kyçe. Më 17 shkurt LSM-ja zhvilloi bllokadë para Qeverisë, ndërsa pas protestës së madhe më 28 janar, e cila kërkoi rritjen e pagave minimale dhe të gjitha pagave të tjera në vend, LSM mbajti bllokada të Parlamentit dhe Odës Ekonomike. LSM e bazon kërkesën e saj për rritje të pagave në rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e vlerës së shportës së konsumatorit të sindikatës.