LSM dhe punëtorët bllokuan Parlamentin, kërkojnë 600 euro pagë minimale: “Për 300 euro nuk ia vlen as të zgjohesh”

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) e filloi protestën e saj të paralajmëruar sot duke bllokuar ndërtesën e Parlamentit. Në dy lokacione përreth Parlamentit, njëra në rrugën Dame Gruev dhe tjetra në rrugën 11 Tetori, kishte 21 punëtorë të cilët, me flamuj dhe fishkëllima, shprehën pakënaqësinë e tyre, duke kërkuar nga deputetët që paga minimale të rritet menjëherë në 600 euro, dhe që pagat e mbetura të rriten me të paktën 6,000 denarë ose diferencën nga rritja e pagës minimale (nga paga minimale aktuale dhe paga minimale e re), transmeton Portalb.mk.

Punëtorët që qëndruan në rrugë, pavarësisht motit të ftohtë, u dërguan një mesazh deputetëve se janë ata që kanë bllokuar ligjin për rritjen e pagës minimale për më shumë se një vit dhe që nuk duan të pranojnë iniciativën e LSM-së për të ulur pagat e zyrtarëve.

Njoftimet nga punëtorët janë se bllokadat dhe protestat do të vazhdojnë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

“Ne kërkojmë rritje të pagës minimale dhe bonus prej të paktën 100 eurosh, jo 1.000 denarë t’i japin, e çfarë mund të behet me to?”, thotë një nga punëtorët që protestuan para Parlamentit.

Ata u kërkuan deputetëve të guxojnë dhe të dëgjojnë zërin e popullit, gjegjësisht të atyre “që po e kanë të vështirë të sigurojnë jetesën”.

“Le të heqin dorë nga privilegjet që kanë, dhe mbi kurrizin e klasës punëtore, kjo nuk është e drejtë. Klasa punëtore mbush buxhetin në mënyrë që ata që fitojnë paga të larta të mund të sigurojnë jetesën, ndërsa punëtorët të mund të fitojnë një pagë minimale. Kjo nuk është e drejtë”, shtoi një nga të pranishmit.

Sipas të pranishmëve në protestë, në çdo shoqëri forca lëvizëse është populli.

“A nuk është kjo e mjerueshme – 300 euro në muaj. Vetëm të zgjohesh në mëngjes nuk ia vlen”, thotë një tjetër nga punëtorët.

Në fillim të bllokadës, Trendafilov, në një deklaratë për mediat, u uroi të gjithëve, përveç deputetëve, një mëngjes të mbarë. Ai tha se protesta e sotme e LSM-së duhet t’i turpërojë të gjithë, veçanërisht 120 deputetët e zgjedhur të cilët, siç shtoi ai, duhet të propozojnë rritje të pagës minimale prej 600 eurosh dhe një rritje të të gjitha pagave të tjera me të paktën 6,000 denarë në seancën e sotme parlamentare.
Mickoski: Me marrëveshjen që bëmë me sindikatat i përmbushëm detyrimet tona, bllokadat nga LSM-ja kanë prapavijë politike

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski nga a tjetër, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me marrëveshjen e Qeverisë me sindikatat, deklaroi:

“Kjo marrëveshje e Qeverisë me sindikatat do të thotë edhe një marrëveshje tjetër historike, që në dy vitet dhe disa muajt e ardhshëm, respektivisht duke filluar nga muaji prill 2026 deri në muajin prill 2028, rreth njëmbëdhjetë mijë persona nga administrata dhe nga shërbimet në gjykata dhe prokurori do të marrin rreth 40% pagë më të lartë, krahasuar me atë që marrin sot.  Me këtë, Qeveria si punëdhënësi më i madh e përmbyll marrëveshjen me kolegët e saj. Praktikisht, kësaj i paraprinë punonjësit shëndetësorë, pastaj punonjësit e arsimit, më pas institucionet e tjera dhe, në fund, tani me SAASH-në dhe SPOGj-në, i kemi përfshirë edhe të punësuarit në shërbimet e gjykatave dhe prokurorive, rreth njëmbëdhjetë mijë kolegë tanë. Kur e gjithë kjo të përmbyllet, mund të themi se deri në fund të mandatit të kësaj Qeverie i kemi rregulluar detyrimet dhe marrëdhëniet tona me kolegët tanë.”

Në pyetjen nëse do të sillet një zgjidhje përfundimtare për pagën minimale, duke qenë se sot ka bllokada para Kuvendit, si dhe ka paralajmërime për bllokimin e Odave ekonomike dhe të Qeverisë, kryeministri Mickoski tha:

“Jo, kjo do të vazhdojë. Sepse kjo ka prapavijë politike. Njëri nga protestuesit e sotëm, para pak ditësh mbante konferencë për shtyp me mua, në një gjendje të dukshme entuziazmi, i kënaqur me atë që ishte arritur.  Ndërsa sot e shihni se bllokon së bashku me atë tjetrin që thirret në të drejtat e punëtorëve, por që keqpërdor automjete zyrtare për qëllime private dhe shumë gjëra të tjera, për të cilat, siç kam ndjesinë, punëtorët që ai i udhëheq do të jenë dëshmitarë se kush i udhëheq dhe kush i manipulon në këto procese të instruuara politikisht. Dhe kjo, në periudhën që vjen, do të vazhdojë, nuk do të ndalet, unë jam i vetëdijshëm për këtë. Por ajo që për mua është e rëndësishme si kryetar i Qeverisë është se argumenti se Qeveria është punëdhënësi më i madh dhe duhet t’i rregullojë detyrimet e saj, është përmbushur – ne i kemi kryer obligimet tona.

Në dialogun dypalësh mes odave, përkatësisht punëdhënësve dhe punëtorëve, ne jemi lehtësues. Dhe kemi thënë se do të mbështesim çdo zgjidhje që ata praktikisht do ta arrijnë me marrëveshje. Por udhëheqës të vetëshpallur, të instruuar politikisht, ne nuk mund të mbështesim. Nuk duam të mbështesim, as të hyjmë në procese të tilla. Përsëri do ta them, njëri nga ata që sot protestonte, para dy ditësh mbante konferencë për shtyp me mua, në një gjendje entuziazmi, duke thënë se kjo është një marrëveshje historike dhe se diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë, e kështu me radhë. Por qytetarët le të gjykojnë vetë dhe le të vlerësojnë.”

Ndryshe, është arritur marrëveshje që rreth 11.000 administratorë të marrin rritje të pagave prej thuajse 40 përqind deri në vitin 2028.

Kujtojmë se LSM më 4 shkurt paraqiti një iniciativë në Kuvendin e RMV-së dhe te grupet parlamentare për të ulur pagat e funksionarëve me 80 përqind. Aty thuhet se neni 11 i Ligjit për pagat dhe kompensimet e tjera të zyrtarëve ndryshohet dhe shton se baza për llogaritjen duhet të jetë paga minimale, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave. Ata shtojnë gjithashtu se koeficientët për përcaktimin e kompensimit të pagave të anëtarëve të parlamentit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar të ulen me 40 përqind.