Ligji për amnisti në Maqedoninë e Veriut, mund të hiqet mundësia e presidentit për realizimin e faljes

Presidenca e Maqedonisë së Veriut në krye me presidentin Stevo Pendarovski, kanë sqaruar që në debatin për përpunimin e ndryshimeve ligjore për amnisti, janë duke kontribuar për largimin e të drejtës së presidentit për realizimin e faljes, transmeton Portalb.mk.

“Në raport me propozimin e Ligjit për amnisti, ku ishte i përfshirë edhe përfaqësuesi i presidentit, përfundimisht është përfshirë kontributi i presidentit Pendarovski për largimin e abolimit në sistemin tonë të drejtësisë, gjegjësisht të pamundësohet e drejta e udhëheqësit të shtetit të fal personat që janë në hetim ose procedura gjyqësore, ndërsa nuk ka aktgjykim”, sqarojnë nga Presidenca.

Presidenca vlerësoi që në këtë mënyrë duke lejuar që të kryhet funksioni i Gjykatës Penale në përcaktimin e fajtorëve të veprave penale, do të kontribuohet në pavarësinë e gjyqësorit.

“Në këtë mënyrë do të kontribuohet në përforcimin e pavarësisë së gjyqësorit, në përgjithësi funksionimin e sistemit  përforcohet pavarësia e gjyqësori”, vlerësojnë nga Presidenca, duke theksuar që në këtë mënyrë ndahet pushteti nga gjyqësori.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë sot ka njoftuar që e ka dorëzuar në procedurë qeveritare propozim-ligjin për falje.

Risitë kyçe që i përmban Propozim Ligji janë:

Çështja e të drejtës së Presidentit për t’i falur personat nga dënimi dhe nga ndjekja penale ishte një nga çështjet më të ekspozuara për të cilën grupi punues qëndroi pas zgjidhjes sipas të cilit Presidenti mund të falë vetëm për dënim, e jo për ndjekje penale të personave të caktuar.
Shumë domethënëse janë edhe zgjidhjet me të cilat hollësisht  është përpunuar procedura për falje, ku janë parashikuar afate të shkurtra për secilin prej institucioneve që janë të përfshira në procedurën për falje. Në të njëjtën kohë, këtu janë të rëndësishme edhe dispozitat konkrete për përgjegjësinë e personave që veprojnë sipas lëndëve, por edhe për përgjegjësinë e eprorëve të tyre.

Projektligji për amnisti, i propozuar nga ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, mbulon shtetasit e Maqedonisë të cilët janë dënuar nga një gjykatë e huaj ose ndërkombëtare në përputhje me ligjet penale të një shteti të huaj dhe janë duke vuajtur dënimin në Maqedoninë e Veriut pas marrjes së aktgjykimit të njohur nga një gjykatë kompetente në vend, sipas marrëveshjes ndërkombëtare të ratifikuar.

Ligji propozon lirimin e plotë të personave që janë dënuar me burgim deri në gjashtë muaj dhe për të dënuarit që janë dënuar me burg mbi gjashtë muaj propozohet që të lirohen nga vuajtja e 30 për qind të dënimit.

Propozimi i ligjit nuk vlen për personat që janë dënuar me burgim të përjetshëm, për veprën penale të vrasjes, për krime kundër zgjedhjeve dhe votimit, kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor, kundër shtetit, kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.

Amnistia nuk do të zbatohet gjithashtu për krimet e grabitjes, mashtrimit në dëm të fondeve të Bashkimit Evropian, pastrimit të parave dhe produkteve të tjera të veprës penale, shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, punës nga pakujdesia në shërbim, marrjes së ryshfetit, dhënia e ryshfetit, dhënia e shpërblimit për ndikim të paligjshëm dhe për marrjen e shpërblimit për ndikim të paligjshëm, të gjitha nga Kodi Penal.

Përveç kësaj, amnistia nuk u referohet personave të dënuar me aktgjykim të formës së prerë për të cilët deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji është lëshuar fletarrest për shkak se janë të paarritshëm për organet e përndjekjes.

Nëse votohet ky propozim-ligj, kjo do të jetë hera e katërt në vendin tonë. Hera e parë ka qenë në vitin 2017, hera e dytë kah fundi i vitit 2019 kur u votua amnistia për një pjesë të të akuzuarve për 27 prillin, hera e tretë këtë vit kur u votua amnistia për shkelësit e protokolleve të Kovidit gjatë pandemisë.