Ligji për amnisti: Burgjet plot, kriminelët në rrugë

Ligji i gjashtë për amnisti në Maqedoninë e Veriut, është në përpunim e sipër. Burgjet janë ende të mbipopulluara, me kushte çnjerëzore, kurse risocializimi dhe rehabilitimi i të burgosurve ka ngecje për shkak të mungesës së stafit adekuat, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Të burgosurit që do të dalin nga burgu pas miratimit të ligjit për amnisti në Kuvend, do të jenë qytetarë të lirë. Askush nuk do t’i mbikëqyr ata, sepse shteti ofron rehabilitim dhe risocializim vetëm në burgje. Madje këta individë nuk do i nënshtrohen as lirimit provë, ku mbikëqyret vetëm zbatimi i masave alternative dhe lirimi me kusht.

Ligji për amnisti është propozuar nga Ministria e Drejtësisë, për shkak të nevojës për risocializimin e një numri të caktuar të të dënuarve, mbipopullimit në burgje dhe kushteve të këqija për qëndrim në to.

“Amnistia është një mënyrë që të burgosurit të kriminalizohen më pak brenda burgjeve – ka gjasa që personi që hyn në burg me një vit dënim, nëse shteti nuk e lejon rehabilitimin, të kthehet në shtëpi si kriminel i rëndë”, shpjegoi Krenar Lloga, ministri i Drejtësisë në një konferencë.

Të liruarit pas një kohe të shkurtër përfundojnë sërish në burg

Përvoja e deritanishme tregon se në Maqedoninë e Veriut më shumë se gjysma e të burgosurve përfundojnë sërish në burg pas një kohe të shkurtër lirie. Prof. Dr. Aleksandra Gruevska Drakulevski nga Departamenti i Kriminologjisë dhe Penologjisë në Fakultetin Juridik në Shkup shpjegon se në këtë situatë ndikojnë shumë faktorë, ndër të cilët është mungesa e vazhdueshme e personave përgjegjës për zbatimin e procesit të risocializimit: prej vitesh, një edukator në vend që të punojë me rreth 30 të burgosur, ose 15 të burgosur me rrezikshmëri të lartë, sipas standardeve, punon me 60-90 të burgosur. Në burgun e Idrizovës edhe me 120 të burgosur. Në kushte të tilla ata nuk mund të zbatojnë as programet bazë të trajtimit dhe jo më programet specifike, të përshtatura për kategori të veçanta të burgosurish.

Një problem tjetër është problemi i ndihmës joefektive pas penalitetit. Me vite të tëra, përveç një kompensimi të caktuar minimal në të holla që njerëzit marrin pas lirimit nga burgu (vetëm një pagesë prej 4.500 denarësh), nuk marrin pothuajse asnjë ndihmë tjetër. Nëse nuk kanë ku të kthehen, janë të papunë dhe nuk kanë para, ka shumë gjasa të kryejnë një krim tjetër.

“Shkalla e lartë e përsëritjes, veçanërisht shkalla e lartë e përsëritjes penologjike, pra fakti që më shumë se 55% e të burgosurve pas lirimit nga burgu, për një periudhë të shkurtër (gjashtë muaj ose një vit), kryejnë një krimi i ri për të cilin janë sërish janë dënuar me burg, vërtetohet se risocializim i suksesshëm në burgje nuk bëhet. Dhe përvojat me Ligjin për Amnisti të vitit 2018 treguan një shkallë të lartë të përsëritjes tek personat që mbuloheshin nga ai ligj. Si rast karakteristik veçojmë rastin e të amnistuarit i cili vetëm katër orë pas lirimit ka kryer një vepër të re grabitje”, thotë Gruevska Drakulevski.

Amnistia, zgjidhje sipërfaqësore

Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë deri më 27 shtator janë liruar plotësisht nga burgu 286 persona. Bëhet fjalë për të dënuarit që janë dënuar me burg deri në 6 muaj dhe kanë kryer krime të lehta. Të dënuarit që janë dënuar me burg për më shumë se gjashtë muaj lirohen nga vuajtja e 30% të totalit të dënimit të caktuar me aktgjykim të formës së prerë, e këtu hyjnë 996 persona. Përpos kësaj, edhe 2813 të tjerë janë të sapodënuar me akt referimi dhe presin të hyjnë në burg.

Vitin e kaluar, Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë së Veriut filloi një projekt lidhur me risocializimin e personave të dënuar dhe mbrojtjen pas dënimit. Sipas konstatimeve të tyre, pothuajse nuk ka risocializim të të dënuarve, i cili duhet të bëhet para dhe pas lirimit të tyre nga burgu.

“Kjo situatë me amnistinë nuk do të ndryshojë asgjë sepse është vetëm një zgjidhje sipërfaqësore e problemit. Sa i përket kushteve në institucionet e vuajtjes së dënimit, kjo nuk duhet të na habisë sepse arsyeja e miratimit të Ligjit për Amnisti në vitin 2018 ishin kushtet në burgje, të cilat prej kohësh janë vlerësuar si çnjerëzore. E njëjta gjë thuhet edhe në këtë propozim ligji dhe situata nuk ka ndryshuar shumë deri më sot”, thotë Irena Zdravkova, juriste dhe menaxhere e projektit në Shoqatë.

Efektet e lirimit provë

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2023, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve ka trajtuar 354 raste me lirim provë. Prej tyre, 105 janë të liruar me kusht nën mbikëqyrje mbrojtëse, 11 janë angazhuar me punë për dobi shoqërore, 58 janë duke iu nënshtruar vlerësimit të rrezikut, i cili do të bëhet pas përfundimit të proceseve gjyqësore dhe 180 janë të liruar me kusht. Ky numër është dukshëm më i lartë se situata e tre viteve më parë, në vitin 2020, kur u trajtuan 276 çështje të lirimit provë. Që atëherë, numri është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Edhe pse Ligji për provën zbatohet që nga viti 2016, në praktikë gjykatat shumë rrallë caktojnë masa alternative (punë në komunitet, arrest shtëpiak, shërbim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse…), kështu që burgjet mbushen edhe me të dënuar për krime të lehta.

“Momentalisht kemi 11 zyra funksionale në të cilat punojnë 28 oficerë të trajnuar për lirim provë. Momentalisht, numri i lëndëve aktive të lirimit provë është 450, që është “burgu i dytë më i madh” pas Idrizovës. Imagjinoni sikur këta individë të ishin në burg, sa do të rëndohej sistemi i burgjeve. Besoj se përmes aplikimit më të shpeshtë të lirimit provë do të reduktohet mbipopullimi në burgje. Mesazhi për gjyqtarët dhe prokurorët është që të vendosin më shumë masa alternative”, tha Departamenti i Provës në Drejtorinë e Zbatimit të Sanksioneve.

Dënimi me kusht është edhe zgjidhje më ekonomike për të reduktuar mbipopullimin në burgje, një ditë burg i kushton shtetit rreth 1000 denarë, një ditë nën lirim provë kushton rreth 50 denarë.

Republika e Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa ligje për amnisti (në vitet 1991, 1999, 2002, 2003, 2018 dhe 2023). Analizat kanë treguar se pothuajse të gjitha Ligjet e Amnistisë (veçanërisht nga viti 1991, 1999, 2002 dhe 2003) janë më shumë një reflektim i vullnetit aktual politik në pushtet, sesa rezultat i hulumtimeve dhe ideve të detajuara për përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale dhe politikave të përshtatshme. Kështu thuhet në analizën “Krijimi i (pa)drejtësisë: Amnistia në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ndikimi i saj në rehabilitimin dhe risocializimin e personave të dënuar” nga gushti i këtij viti, të publikuar nga Shoqata Penologjike e Maqedonisë.

“Kjo veçanërisht i referohet fenomenologjisë së krimeve që përfshinin këto vepra dhe karakteristikave individuale të personave të dënuar. Për sa i përket përsëritjes së të amnistuarve, ligjërisht nuk ka një zgjidhje adekuate për trajtimin apo ndjekjen e tyre në komunitet pas amnistimit. Personit që është amnistuar nuk mund t’i vendosen detyrime, ndalime apo kufizime shtesë, edhe pse mund të gjykohet si i rrezikshëm për mjedisin”, thuhet në analizë.

Në projektligjin që qeveria kërkon të miratojë, përjashtim nga amnistia do të bënin personat e dënuar ligjërisht me burgim të përjetshëm, të dënuar për vrasje, për krime kundër zgjedhjeve dhe votimit, kundër lirisë dhe moralit seksual, grabitje, vjedhje, sjellje kundër rendit publik, asaj që konsiderohet e njerëzishme dhe ligjit ndërkombëtar, mashtrimi ndaj fondeve të BE-së, larje parash, shpërdorim detyre dhe autoriteti, marrje dhe dhënie ryshfeti, dhënie dhe marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm, dhunë në familje dhe me bazë gjinore. Problemi i mbipopullimit të burgjeve, nga ana tjetër, do të zgjidhet me një objekt të ri në Idrizovë prej 15 mijë metrash katrorë, i cili duhet të ndërtohet për katër vjet dhe do të ketë një kapacitet prej 900 vendesh.

Ligji për amnisti është propozuar edhe në vitin 2017 nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev, edhe tani nga ministri i drejtësisë Krenar Lloga. Sipas tyre, përpos mbipopullimit, problemi më i madh janë kushtet në burgje.

“Njerëzit vendosen në korridore. Njerëzit hyjnë për krime të vogla dhe dalin si kriminelë. Ushqimi nuk hahet. Nëse nuk kanë kush t’u marrë ushqim, mbeten të uritur”, ka thënë Lloga.