Ligji për amnisti: Nga burgu do të dalin 250 të dënuar, në radhë presin të hyjnë edhe 2.000 të rinj

“Më vjen turp që jam kryeministër i një vendi që ka burgje me kushte johumane dhe substandarde nën çdo dinjitet njerëzor. Nëpërmjet kamerës qeveritare që hyri dhe regjistroi çdo gjë brenda, do të përpiqemi që nëpërmjet jush mediave, të nxisim debatin në shoqëri që këto kushte urgjentisht të përmirësohen”, tha kryeministri Zoran Zaev në vitin 2017, pas vizitës në burgun më të madh në vend – “Idrizovën”, duke e paraqitur ligjin për amnisti si një ndër zgjidhjet e mundshme të këtij problemi.

Ky ligj u votua nga Kuvendi në vitin 2018 dhe me atë u përfshinë 750 persona. Gjashtë vite më vonë edhe ministri i drejtësisë Krenar Lloga hyri në burgun e “Idrizovës” dhe e tha pothuajse të njëjtën gjë si dhe ish kryeministri Zaev.

“Kushtet janë mizore, katastrofale dhe substandarde për vuajtjen e dënimeve me burg – mbipopullim, të burgosur që flenë në dysheme, nuk ka mbrojtje adekuate shëndetësore, nuk ka kushte adekuate sanitare, krevate të thyer, mure të mykura”, tha ai, duke e propozuar zgjidhjen e njëjtë – amnistinë.

Propozim ligji për amnisti i ndezi debatet në opinionin e ekspertëve në lidhje me mënyrën e ndëshkueshmërisë, gjegjësisht mosndëshkueshmërisë në vend, për kategori të caktuara të personave. Me këtë propozim- ligj të Llogës, si dhe me atë që e propozonte Qeveria e Zaevit dhe e votoi Kuvendi, jepet mundësi që personat të cilëve u është shqiptuar dënim deri në 6 muaj burgim, plotësisht të lirohen nga vuajtja e dënimit. Nga ana tjetër, personat e dënuar të cilëve u është shqiptuar dënim me burgim mbi gjashtë muaj, lirohen nga vuajtja e 30 përqind të dënimit të shqiptuar me aktgjykim të formës së prerë. Për shembull, nëse dikush është dënuar për vepër penale më të lehtë me 9 vitе burg, atij do t’i shkurtohen 3 vite nga dënimi. Ligji u gjend në seancë qeveritare para dy ditësh, por siç shënohej në njoftimin e Qeverisë, do të nevojiten disa harmonizime të caktuara me institucionet kompetente. Nga burime të Ministrisë së Drejtësisë, Meta.mk zbulon se në fakt ajo që duhet të precizohet në ligj është amnistimi i personave që kanë kryer vepër penale në shtet të huaj, ndërsa dënimin e vuajnë në vendin tonë. Pasi të kryhen këto harmonizime, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkombëtar, Propozim-ligji nuk do të shkojë përsëri para Qeverisë, por direkt në Kuvend për tu votuar.

Nga opozitarja VMRO-DPMNE dje deklaruan se nuk do ta votojnë propozimin.

“Ende nuk e kemi marrë ligjin sepse vetë Qeveria ka mospajtime të caktuara. E shohim se kryeministri dhe ministri i drejtësisë janë në linja të ndryshme, siç ishin në linja të ndryshme edhe në lidhје me ndryshimet në Kodin Penal. Por, ne nuk do të mbështesim një ligj të tillë sepse konsiderojmë se ky ligj targeton një grup të caktuar që është i rëndësishëm për partitë në pushtet që të jenë vrapues fushatе në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi deputeti Antonio Milloshoski për Temën e ditës në Ditarin e Sitellit.

Kushtet janë të njëjta, vetëm të burgosurit ndryshojnë

Për momentin në shtetin tonë ka 2.345 persona të dënuar, nga të cilët 250 janë të dënuar me burg deri në 6 muaj, që domethënë se nëse votohet ligji, ato do të dalin në liri. Rreth 800 të burgosur ose persona të dënuar vetëm në burgun e Idrizovës, sipas veprave penale për të cilat janë dënuar, do të fitojnë ulje të dënimeve me burg për 30 përqind.

Drejtori i burgut të “Idrizovës”, Zoran Jovanovski për Meta.mk thotë se me këto ndryshime ligjore nuk do të ndryshojë asgjë sa u përket kushteve. Ato të mbeten ashtu siç janë, një grup të burgosurish do të dalin ose do të marrin dënime më të ulëta, e në vend të tyre do të hyjnë të rinj. Sipas të dhënave të fundit të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, janë lëshuar rreth 2.000 akte referimi, gjegjësisht aq të dënuar duhet të hyjnë për të vuajtur dënimet në një nga burgjet e vendit.

Kah fillimi i muajit të ardhshëm, Komiteti për Parandalimin e Torturës (CPT), trup në kuadër të Këshillit të Evropës, do të vijnë në Maqedoni për të kryer skanim të gjendjes nëpër burgje, ndërsa epilogu nuk pritet të dallojë shumë në raport me vitet e tjera – vendi është vazhdimisht objekt kritikash sa i përket kësaj çështjeje.

“Amnistia nuk do t’i përmirësojë kushtet në burg. Ne për momentin e kemi më me rëndësi të ndërtohet një poliklinikë, sepse shpenzojmë jashtëzakonisht shumë mjete financiare për fatura që na arrijnë nga MPB-ja, duhet të dërgojmë ndonjë të dënuar deri në ndonjë institucion shëndetësor, e për atë paguhet asistencë policore, edhe atë në bazë të numrit të policëve. Paramendoni, kemi të burgosur i cili 7 muaj është i shtruar në Spitalin e Qytetit, e për atë ne paguajmë faturë për çdo ditë qëndrimi. Përveç kësaj, na arriti edhe shkresë nga Ministria e Financave që të ulim shpenzimet për 15 përqind”, thotë Zoran Jovanovski, drejtor i ENP “Idrizovë” për Meta.mk.

Për momentin, burgjet në këtë pjesë janë në borxh prej rreth 35 milionë denarësh, nga të cilat vetëm burgu i “Idrizovës” ka borxh prej rreth 30 milionësh.

Jovica Stojanoviq, Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve sqaron për Meta.mk se me rebalansin e fundit që e lajmëroi Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi janë miratuar 43 milionë denarë për sigurim shëndetësor, gjegjësisht paketa për mbrojtje shëndetësore të të dënuarve.

Mirëpo, borxhet e burgjeve nuk përfundojnë vetëm në pjesën e sigurimit shëndetësor dhe mbetet edhe pyetja nëse amnistia është mënyrë për menaxhimin e këtyre problemeve apo motivet për propozimin e një ligji të këtillë janë të tjera. Ministri Lloga është decid se me këtë do të shkarkohen institucionet e burgimit, por nuk ka koment në lidhje me të dënuarit e tjerë që duhet të hyjnë të vuajnë dënimin në kushtet e njëjta. Stojanoviq nuk dëshironte ta komentojë propozim-ligjin, por thotë se ai angazhohet për sistemin e probacionit, me të cilin bëhet zbrazje e vazhdueshme e burgjeve, ndërsa personat e dënuar vazhdojnë të jenë nën mbikëqyrje.

Përndryshe, probacioni është një shërbim profesional i organizuar në nivel sektori në Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe kryen mbikëqyrje mbi ekzekutimin e sanksioneve pa privim nga liria, më saktësisht mbi masat alternative: dënim me kusht me mbikëqyrje të shtuar, punë në dobi të përgjithshme dhe burgim shtëpiak, si dhe mbi ekzekutimin e lirimit me kusht, të shqiptuara me vendimet të gjykatave. Shërbimi i probacionit kryen mbikëqyrje mbi personat e dënuar dhe u ofron mbështetje, ndërsa qëllimi është që të ruhet siguria në komunitet me përmirësim të risocializimit dhe rehabilitimit të personave ndaj të cilëve ekzekutohen punë të probacionit, si dhe të ulet popullata nëpër burgje.

Sipas propozim-ligjit, amnistia nuk u referohet personave që janë të dënuar me burgim të përjetshëm, për vepër penale vrasje, për vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votës, kundër lirisë dhe moralit seksual, kundër shtetit, kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimit zyrtar nga neni 353, punë të pandërgjegjshme në shërbim nga neni 353-v, për veprat penale kundër rendit publik nga nenet 394 dhe 394-g nga Kodi Penal, si dhe për veprat penale të kryera gjatë ushtrimit të dhunës në familje dhe dhunës së bazuar në gjini.

Përveç këtyre veprave, amnistia nuk do jetë as për veprat penale “Grabitje”, “Mashtrim me pasojë dëmtimin e mjeteve të Bashkimit Evropian, “Pastrim Parash”, “Marrje e ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit” dhe “Dhënie e shpërblimit për ndikim të paligjshëm”.

Sipas propozim-ligjit, Amnistia nuk u referohet personave që i kanë kryer veprat që janë objekt i amnistisë pas 1 shtatorit të vitit 2023 dhe personave që gjatë kryerjes së veprave kanë qenë persona të emëruar dhe të zgjedhur në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Përveç kësaj, amnistia nuk u referohet personave të dënuar me aktgjykim të formës së prerë për të cilët deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji është lëshuar fletarrest për shkak se janë të paarritshëm për organet e përndjekjes.

Nëse votohet ky propozim-ligj, kjo do të jetë hera e katërt në vendin tonë. Hera e parë ka qenë në vitin 2017, hera e dytë kah fundi i vitit 2019 kur u votua amnistia për një pjesë të të akuzuarve për 27 prillin, hera e tretë këtë vit kur u votua amnistia për shkelësit e protokolleve të Kovidit gjatë pandemisë.