Mickoski kërcënoi për largim nga Kuvendi, Ministria e Drejtësisë: Lajm i mirëpritur

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kërcënoi se deputetët e kësaj partie do të largohen nga Kuvendi i RMV-së nëse qeveria vendos flamur evropian në Ligjin për amnisti. Mickoski tha se do ta bllokojnë miratimin e kësaj zgjidhjeje ligjore, e cila është për amnisti të kriminelëve. Pritshmëria është që opozita të paraqesë një numër të madh amendamentesh në Ligjin për amnistinë, por nëse merr flamurin evropian, atëherë deputetët e opozitës do të largohen nga shtëpia ligjvënëse, transmeton Portalb.mk.

“Po ju kujtoj, thanë “nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, premtuan se do të dihet e vërteta për vrasjen e liqenit të Smillkovës, organizuan protesta, mashtruan popullin, gënjyen prindërit e viktimave, në mënyrë që tani ata vetë të luftojnë për lirinë e tyre. Le të dalin ata dhe qindra të tjerë që kanë bërë grabitje, vjedhje, pastrim parash e të ngjashme. Këto janë klithmat e fundit dëshpëruese të qeverisë”, tha Hristijan Mickoski.

Ministria e Drejtësisë i është përgjigjur Mickoskit se pretendimet e tij janë të pabaza, duke mohuar se Ligji për amnisti do të zbatohet në procedurë të shkurtuar me flamur evropian.

“Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, që në ditën e parë, por edhe në konferencën për media të mbajtur javën e kaluar, u shpreh qartë se ky ligj nuk do të bartet me flamurin evropian dhe se ai personalisht është kundër mundësisë së keqpërdorimit të Flamurit evropian për bartjen e ligjeve”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.

Nga aty e porosisin VMRO-DPMNE-në që të mos mbajë qëndrim bosh, pasi që nga dita e parë janë informuar për të gjitha detajet.

“Ligji për amnisti është i njëjtë me atë të vitit 2018, me të njëjtat krime për të cilat nuk parashikohet amnisti. Ai ligj është nënshkruar dhe mbështetur nga VMRO DPMNE. Sado që VMRO DPMNE të dojë t’i amnistojë ish-të zgjedhurit dhe të emëruarit e saj, një ligj të tillë nuk do të ketë”, sqaron Ministria e Drejtësisë.

Lidhur me njoftimet për largim nga parlamenti dhe lëshim të mandateve nga anëtarët e VMRO DPMNE-së, Ministria e Drejtësisë me ironi thotë se ky është një lajm i mirëpritur për qytetarët e vendit tonë.

“Mungesa e qëndrimit për çështje të rëndësishme dhe politikat e bllokadës shprehet më mirë me daljen nga Kuvendi dhe është një gjest mirëseardhjeje nga ana jonë”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas propozim-ligjit, amnistia nuk u referohet personave që janë të dënuar me burgim të përjetshëm, për vepër penale vrasje, për vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votës, kundër lirisë dhe moralit seksual, kundër shtetit, kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimit zyrtar nga neni 353, punë të pandërgjegjshme në shërbim nga neni 353-v, për veprat penale kundër rendit publik nga nenet 394 dhe 394-g nga Kodi Penal, si dhe për veprat penale të kryera gjatë ushtrimit të dhunës në familje dhe dhunës së bazuar në gjini.

Përveç këtyre veprave, amnistia nuk do jetë as për veprat penale “Grabitje”, “Mashtrim me pasojë dëmtimin e mjeteve të Bashkimit Evropian, “Pastrim Parash”, “Marrje e ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit” dhe “Dhënie e shpërblimit për ndikim të paligjshëm”.

Sipas propozim-ligjit, Amnistia nuk u referohet personave që i kanë kryer veprat që janë objekt i amnistisë pas 1 shtatorit të vitit 2023 dhe personave që gjatë kryerjes së veprave kanë qenë persona të emëruar dhe të zgjedhur në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Përveç kësaj, amnistia nuk u referohet personave të dënuar me aktgjykim të formës së prerë për të cilët deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji është lëshuar fletarrest për shkak se janë të paarritshëm për organet e përndjekjes.

Nëse votohet ky propozim-ligj, kjo do të jetë hera e katërt në vendin tonë. Hera e parë ka qenë në vitin 2017, hera e dytë kah fundi i vitit 2019 kur u votua amnistia për një pjesë të të akuzuarve për 27 prillin, hera e tretë këtë vit kur u votua amnistia për shkelësit e protokolleve të Kovidit gjatë pandemisë.