“Less Family”, 2070 dhe post-tradicionalja

Familja është mjedisi ku ne vijmë në këtë botë dhe gatuhemi përgjatë gjithë jetës. Është vatër ku ne gjejmë ngrohtësinë, afërsinë, intimitetin, rehatinë, paqën, dashurinë e pafundme, ku ne jemi vetja, ku s’ka artificialitet, ku gjithçka është natyrë, origjinale, autentike. Së paku, kështu ka qenë dhe duhet të jetë. Por ama realiteti i kohës na sjell para një fotografie tjetër të këtij institucioni, duke na e bërë mirazh këtë të vjetrën ideale.

Sipas Angie Blackwell (2017), e specializuar për dinamikat e familjes, për prindërimin dhe ndërmjetësimin efektiv, sot, familja e zgjeruar është në listën e specieve në rrezik. Do të kishim shtuar, se në rrezik është madje edhe familja në përgjithësi. Ndër termat e përdorur është edhe shprehja “skenari për më pak familje” (“less family” scenario). Në veçanti në shoqëritë perëndimore janë bërë trend familjet njëanëtarëshe, të cilat nënkuptojnë një rregullim sipas të cilit individi siguron vetë ushqimin dhe gjërat e tjera të nevojshme për jetesë pa u bashkuar me ndonjë person tjetër, pa u bërë pjesë e një bashkësie dy e më tepër anëtarëshe. Familjet e shekullit XXI ndryshojnë jashtëzakonisht në formë dhe vëllim: divorci, rimartesa, prindërimi pa bashkëshort/e i kanë bërë demode madje edhe familjet bërthamë. Para një gjysmë shekulli, fëmijët janë rritur me dy prindërit biologjikë dhe me mbështetjen e anëtarëve të familjes së zgjeruar, kurse sot një pjesë e mirë e fëmijëve rriten pa njërin prind. Sot trende të përhapura gjithandej janë kohabitimi apo bashkëjetesa, kurse të dukshme janë edhe ekstremet si partnerët e seksit të njëjtë e të ngjashme.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas rezultateve të Regjistrimit të popullsisë 2021, ka pasur 538.348 familje, prej të cilave 43.39% të çifteve të martuara me fëmijë, derisa familjet e çifteve të martuara pa fëmijë kanë marrë pjesë me 31.12% në numrin e përgjithshëm të familjeve. Më shumë nëna vetëushqyese me fëmijë ka pasur në komunën e Zhelinës (9.64%), ndërsa përqindjen më të madhe të baballarëve vetëushqyes me fëmijë në numrin e përgjithshëm të familjeve e ka pasur komuna Shuto Orizare (2.7%). Në vitin 2022 RMV ka pasur 1.831.121 banorë, kurse sipas hipotezës së fertilitetit të ulët parashihet që në vitin 2070 ky vend të ketë 1.120.272 frymë humane. Këto shifra flasin për një rënie apo tkurrje marramendëse demografike të familjes që e pret këtë vend. (STAT, 2023:17-19) Në periudhën e dytë të projeksionit (2065-2070) do të ketë nga -70.6 mijë, respektivisht -14 mijë lindje për vit. Niveli i tillë i lartë i rritjes negative kryesisht është rezultat i nivelit të ulët të lindjeve (3.9 mijë në vit) me nivel të lartë të të vdekurve (18 mijë). Sipas këtij projeksioni dallimet e tilla nuk janë rrjedhim i shkallës së ulët të fertilitetit dhe të lartë të mortalitetit, por i uljes së numrit të grave në periudhën e fertilitetit dhe rritjes intensive të numrit të personave në moshë (pjesa e individëve 65+ do të jetë 2.5 herë më e lartë se e atyre në moshën 20-39 vjeç). Pra, në kontekstin e RMV-së trend është tkurrja e vatrës familjare. Për këtë flasin shifrat e mësipërme: rreth një e treta e çifteve të martuara nuk kanë fëmijë. Pse? Ngase kanë plane të tyre jetike, duan karrierë, duan ta shijojnë jetën, nuk duan ngarkesa plus në jetë, i shmangen përgjegjësive, duan të ruajnë fizikusin e shumë arsye të tjera.

Familja shqiptare përgjatë historisë së shek. XX ka përjetuar një ndryshim radikal. Nga një familje e zgjeruar dhe patriarkale, në dhjetëvjeçarët e fundit ka kaluar në atë atomike dhe të decentralizuar. Në Shqipëri në vitet 1950 mesatarisht një familje ka numëruar 7 fëmijë, në vitet 1970, 5, në vitet 1980 është shënuar rënie në 4 pasardhës dhe 3 fëmijë në vitet 1990. Gjatë periudhës së tranzicionit shifrat fkasin për ulje në numrin e martesave dhe përqindje e lartë të divorceve etj. (Duri, 2016: 487) Sipas gjetjeve të INSTAT-it, në Shqipëri në vitin 2016 janë shënuar 31 divorce në 100 martesa). Prirje të  ngjashme ka edhe për familjen kosovare që dikur njihej me familjet-fis si ajo e Nivokazit të Gjakovës që në 1976 numëronte 117 anëtarë. Statistikat flasin se  numri mesatar i anëtarëve të familjes kosovare është 5.7 anëtarë, shifër kjo që mëson se familja kosovare ende është e madhe, por për dallim nga e kaluara, mesatarja e numrit të anëtarëve është në rënie. Në vitin 1950 norma e fertilitetit të përgjithshëm ka qenë 7.85, kurse në vitin 2010, 2.1. Familja kosovare është de-tradicionalizuar dhe ka pësuar shndërrime të thella, sikurse janë shënuar ndryshime në botëkuptim, në kriteret e vlerësimit të njeriut, të qëllimit të jetës, në konceptin e martesës, lumturisë, mirëqenies etj. (Sokoli në Karadži, 2021:248) Sa i përket shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që njihen si pjesa më konservatore e shqiptarisë, te ata martesat ende janë trend (Топузовска Латковиќ, M. et. al., 2013: 19), kurse shtëpitë e pleqve për shqiptarë nuk ekzistojnë. Familja shqiptare në RMV mesatarsisht numëron 5 anëtarë, dy prindërit dhe fëmijët.

Marrë në përgjithësi në periudhën e tranzicionit dhe më pas familja shqiptare ka pësuar goditje të rënda: eksodi, migrimi, zhvendosjet në vende të ndryshme të Europës dhe përtej për të siguruar jetë më të mirë (Kasapi, 2018:54). Këto janë ndryshime strukturale. Sipas nesh më me peshë janë ato në aspekt të botëvështrimit, vlerave, filozofisë dhe mënyrës së jetesës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.