Kur demokracia matet me përkatësinë e fituesit

Çfarë kanë të përbashkët zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhjet për kryetar komune në Bërvenicë? Në shikim të parë, pothuajse asgjë. Njëra është një garë politike që ndryshon raportet e forcave në Kongresin amerikan dhe ndikon në drejtimin e politikës së një superfuqie botërore. Tjetra është një garë lokale në një komunë të vogël të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, këto dy procese zgjedhore, të zhvilluara me vetëm dy ditë dallim, na japin rastin të reflektojmë mbi një parim themelor të demokracisë: pushteti buron nga qytetarët dhe asnjë parti politike nuk mund ta konsiderojë votën e tyre si pronë të vetën.

Zgjedhjet amerikane të 3 nëntorit sollën rezultate historike për përfaqësimin e diversitetit të shoqërisë amerikane. Abdul El-Sayed u bë myslimani i parë i zgjedhur në Senatin amerikan, Chris Pappas burri i parë që e ka deklaruar hapur orientimin e tij homoseksual dhe është zgjedhur senator, ndërsa Peggy Flanagan gruaja e parë indigjene amerikane e zgjedhur në Senat. Po aq historike ishin edhe zgjedhjet e Deb Haaland në New Mexico, si gruaja e parë indigjene amerikane që do të ushtrojë detyrën e guvernatores në SHBA, dhe të Keisha Lance Bottoms në Georgia, si gruaja e parë afroamerikane e zgjedhur guvernatore në historinë e vendit. Rëndësia e këtyre fitoreve nuk qëndron thjesht te identiteti i kandidatëve, por te fakti që qytetarët amerikanë, përmes votës së tyre, dëshmuan se vlerat kushtetuese të lirisë, barazisë dhe përfaqësimit demokratik mund të mbizotërojnë mbi paragjykimet dhe dallimet identitare.

Këta kandidatë nuk u zgjodhën thjesht për shkak të fesë, racës, prejardhjes apo orientimit të tyre seksual. Ata u mbështetën nga qytetarë me identitete dhe bindje të ndryshme, që votuan mbi bazën e programeve politike, shqetësimeve të përditshme dhe pritjeve për të ardhmen. Abdul El-Sayed, për shembull, ndërtoi fushatën e tij mbi çështje si kostoja e jetesës, kujdesi shëndetësor dhe ndikimi i interesave të mëdha ekonomike në politikë. Natyrisht, Amerika vazhdon të përballet me paragjykime, polarizim dhe retorikë përjashtuese. Megjithatë, këto rezultate tregojnë se edhe në kohë të vështira për demokracinë, qytetarët mund të shohin përtej dallimeve identitare dhe të zgjedhin përfaqësues që pasqyrojnë diversitetin e shoqërisë së tyre.

Pothuajse në të njëjtën kohë, në Bërvenicë, qytetarët zgjodhën për kryetar komune Arkin Jahijin. Rezultati u shoqërua me reagime në të cilat përkatësia etnike dhe mobilizimi i diasporës morën një vend qendror. Kjo ngre një pyetje legjitime: përse, kur në një komunë me popullsi të përzier fiton një kandidat maqedonas, fitorja mund të interpretohet si mbështetje qytetare, ndërsa kur fiton një shqiptar, rezultati shpjegohet kryesisht përmes mobilizimit etnik?

Veçanërisht interesant është interpretimi i pjesëmarrjes së diasporës. Kur diaspora mobilizohej për të mbështetur një kandidat maqedonas, pjesëmarrja e saj paraqitej si ushtrim i përgjegjshëm i së drejtës së votës. Ndërsa tani, kur fitoi një kandidat shqiptar, u dëgjuan interpretime që e paraqisnin ardhjen e votuesve nga jashtë si nismë e “të huajve” që janë mobilizuar në aspekt etnik. Por vota e qytetarit që jeton jashtë vendit nuk ndryshon vlerë juridike apo demokratike në varësi të përkatësisë së tij etnike ose të kandidatit që mbështet. E njëjta e drejtë nuk mund të vlerësohet ndryshe vetëm sepse ka prodhuar një rezultat tjetër politik.

Votimi mbi baza etnike nuk është domosdoshmërisht shprehje e nacionalizmit apo e ndarjes shoqërore. Ai mund të jetë edhe reagim ndaj politikave që qytetarët i perceptojnë si cenim të të drejtave dhe të barazisë së tyre. Në një klimë politike ku, gjatë dy viteve të fundit, janë vënë në pikëpyetje disa nga arritjet e Marrëveshjes së Ohrit, nuk duhet të na habisë fakti që përkatësia etnike bëhet faktor mobilizues në zgjedhje. Përkundrazi, duhet të pyesim se sa kanë kontribuar vetë politikat dhe retorika e pushtetit në forcimin e këtyre ndarjeve. Është kundërthënëse që mobilizimi etnik të kritikohet si kërcënim për bashkëjetesën, pa u shqyrtuar më parë përgjegjësia e atyre politikave që mund ta kenë nxitur atë.

Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e veçantë e përfaqësuesve të pushtetit qendror. Fjalët e tyre nuk janë vetëm komente partiake. Ato ndikojnë në mënyrën se si qytetarët e perceptojnë njëri-tjetrin dhe vendin e tyre në shtetin e përbashkët. Kur fitorja e një kandidati trajtohet si sukses i qytetarëve, ndërsa fitorja e tjetrit kryesisht si mobilizim etnik, krijohet përshtypja se legjitimiteti demokratik nuk matet me vota, por me identitetin e atij që i fiton ato.

Në fund, dallimi mes këtyre dy përvojave nuk qëndron te rezultatet zgjedhore, por te mënyra se si kuptohet dhe pranohet demokracia. Në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht polarizimit dhe sfidave të mëdha, zgjedhjet dëshmuan se vlerat kushtetuese të lirisë dhe barazisë vazhdojnë të gjejnë shprehje në vullnetin e qytetarëve. Në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, ende kemi vështirësi ta pranojmë barazinë politike si vlerë të përbashkët, e jo si privilegj të njërës palë. Kur të njëjtat të drejta demokratike vlerësohen ndryshe, varësisht se kush i ushtron dhe kujt i shërben rezultati i tyre, barazia shndërrohet nga parim kushtetues në standard selektiv. Sepse demokracia nuk fillon me fitoren e shumicës, por me pranimin e barazisë së të gjithëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.