Kovaçevski foli për rastin e Drin Ahmetit me fishekzjarrët

Kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se rasti i konfiskimit të një sasie të madhe të lëndëve piroteknike në makinën e nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmeti është proceduar në Prokurori si edhe për çdo qytetar, raporton MIA.

“Qëndrimi im është i njëjtë me atë të institucioneve, se bëhet fjalë për kontroll të rregullt në të cilin është identifikuar një person që ka bartur lëndë piroteknike. I gjithë rasti pastaj i dorëzohet Prokurorisë si për çdo qytetar”, tha Kovaçevski në pyetjen e gazetarëve lidhur me spekulimet se politika ka gisht në rastin e Drin Ahmetit, pas prezantimit të investimit të parë të huaj në ZZHTI për vitin 2024.

Më 30 dhjetor në orën 19:50 në rrugën ‘Samuilova’ në Shkup, nëpunës policorë kanë ndaluar automjetin ‘renxh rover’ me targa të Shqipërisë i drejtuar nga D.A. (25) nga fshati Zajaz i Kërçovës. Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur 749 mjete piroteknike. Personi është dërguar në stacion policor dhe pas dokumentimit të rastit do të ngritët parashtresë përkatëse”, kumtuan nga MPB-ja.

Nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup lidhur me gjetjen e mjeteve piroteknike, kumtuan se do të vendosin pasi të bëhet ekspertiza. Për ngjarjen është njoftuar edhe prokurori publik.

Numri një i policisë, Oliver Spasovski për mjetet e gjetura piroteknike në makinën e D.A. nga Zajazi në ditën e parë të Vitit të Ri 2024 deklaroi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme nga aspekti policor dhe se Prokuroria publike duhet të vlerësojë se si do ta procedojë këtë rast.

Drin Ahmeti u arrestua të shtunën në mbrëmje në rrugën “Samuillova” në Shkup pasi policia gjatë  kontrollit në automjetin e tij ka gjetur 750 mjete piroteknike.

Nga Prokuroria Publike deklaruan se për rastin me nipin e Ahmetit do të vendoset pasi që të bëhet ekspertiza e fishekzjarreve.

“Për ngjarjen është njoftuar prokurori publik. Në varësi të fakteve që do të konstatohen me ekspertizë për mjetet piroteknike të gjetura, prokurori publik do të vendosë për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Drin Ahmeti, nipi i udhëheqësit të BDI-së Ali Ahmeti, djali i vëllait të tij Fekri, para disa muajsh është bërë pronar i qendrës së biznesit “Soravia”.

Drin Ahmeti është pronar i tre firmave “Thor Industries”“Everest JD” dhe “Potan Plant”. Ai është dhe bashkëpronar me vëllain e tij Besian Ahmeti, djalin e Ali AhmetitShkumbin Ahmeti në firmën “HeliosPlant.

Everest JD” ka koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në lokalitetin “Bukoviq” në Zajaz, që sipas opozitës është fituar në kohën e pushtetit LSDM-BDI. Por, kjo firmë, merret edhe me ndërtimin e objekteve të inxhinierisë civile dhe ka licencë për hidrocentral. “HeliosPlant” dhe “Potam Plant” janë firma për prodhimin e rrymës.

Opozitarja VMRO-DPMNE gjithashtu akuzoi se më 10 maj të vitit 2022 dy firmat e Drin Ahmetit “Thor industries” dhe “Everest JD” kanë fituar 82 mijë euro të holla shtetërore për bashkëfinancim të inovacioneve nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, në kohën kur me këtë institucion udhëheqë kuadri i BDI-së, Festim Halili.

Xhaxhai i DrinitAli Ahmeti, ka premtuar se nuk do ta amnistojë dhe strehojë nëse ka bërë shkelje ligjore dhe i ftoi organet të hetojnë.

Antikorrupsioni ka hapur procedurë për lëshimin e lejes për hidrocentralin. Pavarësisht thirrjeve për hetim nga të gjitha anët, Prokuroria ende nuk ka hapur ndonjë procedurë.