Policia e kreu punën, tani duhet të veprojë Prokuroria, tha Spasovski për arrestimin e nipit të Ahmetit

Policia i ndërmori të gjithë aktivitetet e nevojshme dhe tani duhet të veprojë Prokuroria Publike, tha ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski për arrestimin e Drin Ahmetit, nip i liderit të BDI-së Ali Ahmeti, shkruan sdk.mk, njofton Portalb.

“Për rastin konkret, ne i ndërmorëm të gjithë aktivitetet e nevojshme nga aspekti policor. Janë marrë të gjithë gjësendet të cilat janë gjetur dhe është dorëzuar parashtresë deri te Prokuroria Publike, e cila do të vlerësojë për atë se si më tej do të veprohet lidhur me gjithë këtë rast”, tha Spasovski duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se çfarë parashtrese do të ketë dhe për çfarë do të akuzohet Drin Ahmeti gjatë vizitës së sotme në qendrën policore “Gjorçe Petrov” në Shkup.

Drin Ahmeti u arrestua të shtunën në mbrëmje në rrugën “Samuillova” në Shkup pasi policia gjatë  kontrollit në automjetin e tij ka gjetur 750 mjete piroteknike.

Nga Prokuroria Publike dje deklaruan se për rastin me nipin e Ahmetit do të vendoset pasi që të bëhet ekspertiza e fishekzjarreve.

“Për ngjarjen është njoftuar prokurori publik. Në varësi të fakteve që do të konstatohen me ekspertizë për mjetet piroteknike të gjetura, prokurori publik do të vendosë për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Drin Ahmeti, nipi i udhëheqësit të BDI-së Ali Ahmeti, djali i vëllait të tij Fekri, para disa muajsh është bërë pronar i qendrës së biznesit “Soravia”.

Drin Ahmeti është pronar i tre firmave “Thor Industries”, “Everest JD” dhe “Potan Plant”. Ai është dhe bashkëpronar me vëllain e tij Besian Ahmeti, djalin e Ali Ahmetit, Shkumbin Ahmeti në firmën “HeliosPlant.

Everest JD” ka koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në lokalitetin “Bukoviq” në Zajaz, që sipas opozitës është fituar në kohën e pushtetit LSDM-BDI. Por, kjo firmë, merret edhe me ndërtimin e objekteve të inxhinierisë civile dhe ka licencë për hidrocentral. “HeliosPlant” dhe “Potam Plant” janë firma për prodhimin e rrymës.

Opozitarja VMRO-DPMNE gjithashtu akuzoi se më 10 maj të vitit 2022 dy firmat e Drin Ahmetit “Thor industries” dhe “Everest JD” kanë fituar 82 mijë euro të holla shtetërore për bashkëfinancim të inovacioneve nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, në kohën kur me këtë institucion udhëheqë kuadri i BDI-së, Festim Halili.

Xhaxhai i DrinitAli Ahmeti, ka premtuar se nuk do ta amnistojë dhe strehojë nëse ka bërë shkelje ligjore dhe i ftoi organet të hetojnë.

Antikorrupsioni ka hapur procedurë për lëshimin e lejes për hidrocentralin. Pavarësisht thirrjeve për hetim nga të gjitha anët, Prokuroria ende nuk ka hapur ndonjë procedurë.