10 momentet më speciale të futbollit në 2023

Emocione, rekorde dhe arritje! Viti 2023 ka qenë special në futbollin botëror, raporton Klan. Nga pesë titujt e fituar të Mançester Sitit, te “Topat e Artë” të Leo Mesit, këto janë 10 ngjarjet speciale të vitit.

1-PESË TITUJT E MANCHESTER CITY

Viti 2023 ka hyrë në historinë e Mançester Sitit. Skuadra angleze arriti të ngrinte pesë trofe, duke e mbyllur vitin si kampionë e vendit, Europës dhe më pas e Botës.

Asnjë klub anglez nuk ka arritur që të bëjë atë që “Citysens” realizuan në këto 12 muaj. Dhe një sipërmarrje e tillë është e vështirë që të arrihet.

Më 20 maj, City u shpall kampione e Premier League, duke ngritur trofeun në “Etihad Stadium”, pasi rivalët e United u mundën nga Nottingham Forest.

13 ditë më pas, ekipi i Pep Guardioës mundi në “Uembli” “Djajtë e kuq” në finalen e Fa Cup.

Më 10 qershor, City mposhti Interin 1-0 në Stamboll dhe ngriti trofeun e shumëpritur të Ligës së Kampioneve.

Në Athinë, në verë u ngrit Superkupa UEFA, pasi u mund ekipi fitues i Ligës së Europës, Sevija.

Në finale e botërorit të klubeve, anglezët mundën brazilianët e Fluminense me poker golash dhe u shpallën kampionët e botës.

2-OSIMHEN UDHËHEQ NAPOLIN DREJT TITULLIT

Victor Osimhen u shpall goalshënuesi më i mirë i sezonit 2022/2023, ndërsa udhëhoqi Napolin drejt fitimit të Serie A.

Nigeriani i dha fund pritjes 33-vjeçare, që kur trofeu u ngrit nga legjenda Diego Armando Maradona.

Osimhen realizoi 26 gola, duke bërë që të gjitha klubet elitare të Europës të mendonin për të.

Në vazhdim historia e të kaltërve u bë e komplikuar, e madje pati edhe krisje mes lojtarit e drejtuesve.

Napoli e mbyll vitin 2023 larg vendit të parë në Serie A dhe i kualifikuar në të 16-at e Ligës së Kampioneve.

3-TETË “TOPA TË ARTE” PËR LEO MESSI

Viti 2023 do të ngelet i paharrueshëm për Lionel Mesin. Ikona argjentinase fitoi “Topin e Artë” për herë të tetë në karrierën e tij, duke vendosur një rekord, që vështirë të thyhet nga ndonjë futbollist tjetër.

Trofeun e lakmuar, për herë të parë ai e mori në vitin 2009. Por ky i mbajtur në 2023 duhet të jetë më i ëmbli për argjentinasin, që u shpërblye duke i’u bashkuar klasës së më të mëdhenjve të futbollit, duke fituar Kupën e Botës.

Në vazhdim ai u bë pjesë e Inter Miami në SHBA, ku ka si mision që ta bëjë të shkëlqejë edhe futbollin amerikan.

Gjithashtu ylli argjentinas, u shpall për vitin 2023 si sportisti më i marketueshëm i vitit, duke lënë pas legjendën e NBA Lebron Xhejms dhe futbollisten amerikane Alex Morgan.

4-CR7 TRANSFEROHET NË ARABINË SAUDITE

Në ditën e parë të vitit 2023, Kristiano Ronaldo vendosi të braktiste Europën dhe të niste një kapitull të ri të karrierës së tij në Arabinë Saudite.

Nga Sportingu i Lisbonës tek United, Real Madrid, Juventus dhe në “Old Trafford” sërish, Ronaldo vendosi të pranojë sfidën me Al Nassr.

Vendimi i tij i hapi rrugë kalimit në Ligën Profesionite Saudite të një sërë emrash të njohur të futbollit europian dhe botëror.

Ish-fituesi i “Topit të Artë”, Karim Benzema, iu bashkua Al Ittihad nga Real Madrid, kurse braziliani Neymar u bë pjesë e Al Hilal. Qindra miliona euro të shpenzuara nga klkbuet saudite për ta kthyer vendin në një qendër të re të futbollit botëror.

5-SEVILLA DHE WEST HAM BEFASOJNË

Sevilla dhe West Ham ishin dy klubet e vogla të kontinentit, të cilat ngritën trofe të rëndësishme të Europës.

Sevilla mundi Romën e Jose Mourinhos me penallti pas barazimit 1-1 në finalen e Europa League.

Në rrugëtimin drejt finales, klubi spanjoll mundi Manchester United dhe Juventus.

Ndërsa Uest Hem ngriti trofeun e Ligës së Konferencës, pasi mundi Fiorentinën 2-1 në finale.

Çekiçët me këtë sukses i dhanë fund pritjes 44-vjeçare për një trofe.

Ata vendosën rekord në Europë, me 17 takime radhazi të pamposhtur.

6-BARCELONA E XAVI FITON LA LIGA

Pas katër vitesh, Barcelona u shpall sërish kampione e La Liga-s.

Megjithë vështirësitë financiare, klubi arriti të siguronte kapitalin e nevojshëm për të plotësuar kërkesat e trajnerit Çavi për të ndërtuar një ekip konkurrues.

Blaugranat ia dolën të fitonin titullin e tyre të 27 kampion.

Suksesin e arriti falë soliditetit në mbrojtje dhe efikasitetit në sulm, ku rol të madh luajti edhe blerja e polakut, Robert Levandovski.

7- GIGI BUFFON VAR DOREZAT NË GOZHDË

Lamtumira e Gianluaigi Buffon do të mbetet në historinë e futbollit italian, pro edhe të atij botëror.

Ikona italiane e futbollit ka qenë gardiani i preferuar për më shumë se dy breza dhe një nga ata lojtarë shumë të dashur anembanë botës për cilësitë e tij .

Buffon e mbylli karrierën e tij me një nga skuadrat që ai kishte e më për zemër, Parmën.

28 sezone si protagonist, 8 prej të cilëve me Parmën, 19 me Juventusin dhe 1 me PSG-në.

Bufon do të linte pas krahëve shumë suksese të arritura me Juventusin, si edhe fitimin e Kupës së Botës me Italinë në 2006.

Por ai ka vendosur rekord edhe për ndeshje të luajtura me përfaqësuesen italiane, 176 në toal dhe 80 si kapiten.

8-YLLI NË NGJITJE JUDE BELLINGHAM

Jude Bellingham u largua nga Borussia Dortmund dhe u bashkua me Real Madrid. Mesfushori anglez la gjurmë shumë shpejt me “Los Blancos”, duke shfaqur një formë të jashtëzakonshme me 13 goal dhe 2 asiste në 16 takime në La Liga dhe 4 gola e 3 asiste në 5 sfida në Ligën e Kampioneve.

Ai bëhet lojtari i katërt i Real Madridit që debuton me gol si në La Liga ashtu edhe në Ligën e Kampionëve në shekullin e 21-të. Angleezi fitoi Trofeun Kopa si lojtari më i mirë në botë U-21.

9-REKORDET E ERLING HAALAND

Viti 2023 do të jetë i paharrueshëm për norvegjezin Erling Haaland.

Sulmuesi i Mançester Sitit përveç trofeve të fituar, theu edhe rekorde të shumta.

23-vjeçari fitoi “Këpucën e Artë” në Premier Ligë, si edhe u bë lojtari i parë i ekipit anglez që fiton “Këpucën e artë” europiane.

Edhe titujt si “Lotjari i vitit i Premier Ligës” dhe “Lojtari më i ri i vitit i Premier Ligës” ishin të tijët.

Pjesë e “Ekipit të vitit të Ligës së Kampioneve”, ai u bë lojtari me më shumë gola në një edicion, 12 të tillë në Çampions.

Haaland ka realizuar më shumë gola në Premier League në një sezon, 36, si dhe më shumë rrjeta të realizuara në një sezon në të gjitha kompeticionet nga një lojtar i Premier League; 52.

Por ai është futbollsti me më shumë gola dhe asiste në kampionatin anglez, 44 në 38 ndeshje.

Norvegjezi u bë lojtari i parë në historinë e Premeri League që shënon 3 tripleta radhazi në shtëpi

10-BAYERN BËN MREKULLINË NË FUND

Bajern Munihu fitoi titullin kampion në Gjermani për herë të 11 radhazi.

Bavarezët nuk gabuan në transfertë ndaj Këlnit duke fituar 2-1, ndërkohë që përfituan nga dhurata që Borusia Dortmund i bëri.

Verdhezinjtë mund të fitonin titullin kampion nëse do të mposhtnin Mainz, por përpara tifozërisë së tyre barazuan 2-2.

Si Borusia ashtu edhe Bajerni e mbyllën kampionatin me pikë të barabarta, me nga 71, por skuadra e Tuhel përfitoi nga golavarazhi.