Është arrestuar Drin Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit dhe pronar i qendrës Soravia

Drin Ahmeti është ndaluar këtë të shtunë në qendër të Shkupit. MPB përmes kumtesës konfirmoi arrestimin nga pjesëtarët e njësisë speciale të policisë Tigrat pasi në makinën Range Rover u gjet një sasi e madhe e  fishekzjarrëve, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Brendshme e ka konfirmuar rastin.

“Sot (30.12.2023) në ora 19:50 në rrugën “Samuilova” në Shkup, zyrtarët policorë kanë ndaluar automjetin e pasagjerëve “Range Rover” me targa të Shqipërisë, i drejtuar nga D.A. (25) nga fshati Zajaz-Kërçovë dhe gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur mjete piroteknike. Personi është ndaluar në stacion dhe pas dokumentimit të rastit do të bëhet një parashtresë përkatëse”, kumtoi për mediat MPB-ja.

Fishekzjarret në veturën e Ahmetit, foto nga MPB
Fishekzjarret në veturën e Ahmetit, foto nga MPB

Ndryshe, Drin Ahmeti është djali i vëllait të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Ai u bë i njohur në opinion pasi që në media u publikua informata se ai, bashkë me disa partnerë nga Shqipëria (Firma PE-VLA-KU SH.P.K.me pronar Vladimir Pjetërgjokaj), e kanë blerë qendrën tregtare në Shkup “Soravia”, e cila paraprakisht ka qenë në pronësi të dy firmave austriake.

Pas reagimeve të shumta në opinion, Drin Ahmeti bashkë me përfaqësues të firmave nga Shqipëria dhe ish pronarit të “Soravia” mbajti konferencë për shtyp ku njoftoi se, partnerët nga Shqipëria do të kenë 51% të aksioneve, ai 39% dhe pronari i deritanishëm Hano Soravia 10%.

Për sa para është shitur nuk dihet, por dihet që “Soravia” para se të shitej ka pasur borxh 20 milionë euro, dhe atë borxh, do ta marrin pronarët e rinj.

Drin Ahmeti është pronar i tre firmave “Thor Industries”, “Everest JD” dhe “Potan Plant”. Ai është dhe bashkëpronar me vëllain e tij BesianAhmeti djalin e Ali AhmetitShkumbin Ahmeti në firmën “HeliosPlant.

Everest JD” ka koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në lokalitetin “Bukoviq” në Zajaz që sipas opozitës është fituar në kohën e pushtetit LSDM-BDI. Por, kjo firmë, merret edhe me ndërtimin e objekteve të inxhinierisë civile dhe ka licencë për hidrocentral. “HeliosPlant” dhe “Potam Plant” janë firma për prodhimin e rrymës.

Opozitarja VMRO-DPMNE gjithashtu akuzoi se më 10 maj të vitit 2022 dy firmat e Drin Ahmetit “Thor industries” dhe “Everest JD” kanë fituar 82 mijë euro të holla shtetërore për bashkëfinancim të inovacioneve nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, në kohën kur me këtë institucion udhëheqë kuadri i BDI-së, Festim Halili.

Xhaxhai i DrinitAli Ahmeti, ka premtuar se nuk do ta amnistojë dhe strehojë nëse ka bërë shkelje ligjore dhe i ftoi organet të hetojnë.

Antikorrupsioni ka hapur procedurë për lëshimin e lejes për hidrocentralin. Pavarësisht thirrjeve për hetim nga të gjitha anët, Prokuroria ende nuk ka hapur ndonjë procedurë.