Kontroll mjekësor për turistët në Shqipëri

Temperaturat e larta kanë sjellë probleme dhe për turistët e huaj që vizitojnë në Shqipërinë. Në Gjirokastër një qendër shëndetësore në zonën historike të qytetit ofron kontrolle falas të vizitorët e huaj, raporton EN.

Moti i nxehtë po shkakton shqetësime shëndetësore për turistët të cilët vizitojnë Gjirokastrën. Pika e urgjencës mjekësore që funksionon në zonën historike të qytetit jep asistencë mjekësore për vizitoret vendas dhe të huaj. Bluzat e bardha shprehen se në disa raste turistët janë paraqitur me shqetësime shëndetësore si dhimbje koke, tension të larta, këputje fizike, etj.

“Në qoftëse ka gjendje të fikti atëherë i transportojmë ata direkt në urgjencën e spitalit rajonal “Omer Nishani”, matje e tensionit, gjërat primare, parametrat vitalë për të konstatuar nëqoftëse gjendja është kritike, e stabilizuar apo ka nevojë për ndihmesë të mëtejshme”,-tha Kristiana Dudumi, qendra e urgjencës

“Zakonisht kanë patur dhimbje koke, gjendje të fikti por kanë patur raste edhe të tjera që ka pasur tension shumë të lartë, dhimbje persistente, të gjoksit. Në këto raste i kemi transportuar direkt në urgjencë”.

Stafet mjekësore apelojnë që banorët por edhe turistët të tregohen të kujdesshëm për të shmangur problemet shëndetësore si shkak i motit të nxehtë.

“Duke ditur gjendjen dhe temperaturat që janë shumë të larta të gjithë qytetarëve të Gjirokastrës, turistëve dhe kalimtarëve të mos dalin nga ora 11 deri në orën 18, të qëndrojnë në vende të freskëta, të marrin sa më shumë likuide, sa më shumë lëngje dhe të ushqehen shëndetshëm”, – Kristiana Dudumi, qendra e urgjencës.

Në urgjencën e spitalit të Gjirokastrës regjistrohen rreth 40 raste në ditë të pacientë që marrin ndihmën shëndetësorë si shkak i problemeve të shkaktuara nga temperaturat e larta.