SHGM-ja kërkon hetim për kërcenimet ndaj gazetares Rita Behadini

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka reaguar në lidhje me gazetaren e televizionit Alsat-M, Rita Behadini, në lidhje me një debat të krijuar në rrjete sociale, debat që ka shkuar deri në kërcënim ndaj saj, raporton Portalb.mk.

“Kolegia Behadini i është drejtuar sot SHGM-së me denoncim se gjatë ditëve të fundit është pre e kërcënimeve nga persona me profile në rrjetin social Facebook, por njëra bie më shumë në sy pasi ka kërcënim eksplicit”, deklarojnë nga SHGM.

Ata kanë publikuar edhe një kërcënim që i ka ardhur Behadinit në lidhje me këtë rast, ndërkohë kanë përkujtuar edhe Protokollin që i udhëzon gazetaret për më shumë siguri në internet.

“SHGM kërkon reagim të menjëhershëm ndaj kërcënimeve eksplicite të drejtuara ndaj gazetares së ALSAT-M, Rita Behadini në postimin e saj lidhur me qëndrimin e një hoxhe nga Saraji në rrjetin social Facebook”, kërkohet nga Shoqata.

Raportohet që ky rast është paraqitur edhe në Ministrinë për Punë të Brendshme, prej të cilëve SHGM-ja kërkon reagim të shpejtë.

“Theksojmë se kërcënimi me jetë është krim i përfshirë në Kodin Penal, dhe për autorët parashikohet dënim me burg. Prandaj, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike duhet menjëherë t’i hetojnë dhe procedojnë me qëllim ndëshkimin e shkelësve të ligjit, por edhe parandalimin e krimeve të tilla të mundshme në të ardhmen”, raportojnë nga SHGM-ja.