Komuna e Tetovës publikoi listën e kontratave me 10 denarë ndërsa 47 kontratat e reja do i publikojnë në mars

Komuna e Tetovës dje njoftoi se tetë persona nga kabineti i kryetarit aktual të komunës nënshkruan kontratë vullnetare me nga 10 denarë për muajin dhjetor. Ndërkaq të pyetur për emrat që kanë marrë të holla nga komuna këtë muaj dhe publikimin e kontratave tjera në vepër të realizuara nga Bilall Kasami, komuna njoftoi se bëhet fjalë për 47 kontrata të reja që do publikohen në muajin mars, shkruan Portalb.mk.
Publikimi i kontratave vullnetare me nga 10 denarë në opinion nxiti reagime në rrjete sociale se përse Komuna nuk i publikon kontratat e reja mbi vepër të realizuara në këto katër muaj që Bilall Kasami është në krye të Komunës, pasi emrat që janë në atë listë dhe emra të tjerë sipas faqes Open Finance, nga komuna për muajin shkurt kanë marrë shuma mbi 20 mijë denarë.
Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thonë se arsyeja e publikimit të kontratave me ka 10 denarë për muajin dhjetor është transparenca, ndërsa kontratat për tre muajt e parë të vitit do publikohen në mars, si dhe kontratat e reja në çdo tre muaj do të publikohen në ueb-faqe të komunës
“Numri i kontratave të reja të nënshkruara me ardhjen e kryetarit Kasami arrin në 47 kontrata në vepër, por këtu përfshihen edhe disa vazhdime të kontratave në vepër, të kontraktuar nga udhëheqsia e vjetër”, sqaruan nga Komuna e Tetovës.
Ndërkaq, kur jemi te mjetet financiare, Komuna e Tetovës me 11 shkurt në llogarinë e partisë Lëvizja Besa ka transferuar dy herë mjete, njëherë 10,000 denarë dhe herën tjetër 352,475 denarë. Të pyetur për këtë se përse këta mjete janë lëshuar në llogari të partisë, nëse bëhet fjalë për zgjedhje përse nuk janë lëshuar edhe te partitë tjera, nga Komuna sqaruan si vijon:
“Një ndër borxhet e trashëguara ka qenë edhe pagesa që ju takon partive politike për zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe duke marrë përsipër kërkesat që kanë qenë për pagesa, janë kontaktuar nga subjekti dhe kanë konfirmuar se llogaria është aktive dhe se mjetet mund të lëshohen që të shlyhet si borxh. Gjithashtu u është dërguar ftesë edhe partive tjera që të konfirmojnë se disponojnë me llogaritë e tyre dhe në momentin që do të ketë konfirmim nga ana e tyre do të kemi parasysh që edhe pjesa e ngelur pa paguar e tyre do t’ju paguhet. Vlen të theksojmë se kjo ndodh për shkak se llogaritë që hapen për zgjedhje janë llogari të përkohshme dhe ne nuk mundemi të bëjmë pagesë në një llogari të pakonfirmuar nga vetë subjekti. Pra edhe kjo është një borxh i trashëguar që është dashur para disa viteve të shlyhet.”
Informata më to detajuara për transaksionet financiare nga Komuna e Tetovës gjeni KËTU.
Ndryshe, Komuna e Tetovës me 8 shkurt e publikoi listën e personave të punësuar në komunë përmes kontratës në vepër shifra e të cilave ishte 812, por komuna për këtë nuk e bëri ndarjen se sa prej këtyre personave kanë qenë në punë dhe kanë dorëzuar raport dhe sa kanë marrë para nga taksat e qytetarëve tetovar duke mos punuar. Së fundmi, kryetari i Komunës në emisionin Click Plus njoftoi se bëhet fjalë për 544 persona të angazhuar, prej të cilëve 250 kanë dorëzuar raport ndërsa 294 nuk kanë dorëzuar raport, në total këto kontrata buxhetit të Komunës i kanë kushtuar 1.1 milion euro.
- LEXO: 244 persona kanë marrë rrogë nga Komuna e Tetovës, por nuk kanë shkuar në punë, alarmojnë nga VMRO-DPMNE
- LEXO: Kontratat në vepër, përplasje midis Bekteshit dhe Komunës së Tetovës (Video)
- LEXO: Komuna e Tetovës ende nuk ka informacion sa i kushtuan buxhetit të komunës 812 kontratat në vepër
- LEXO: Kjo është lista e kontratave në vepër në Komunën e Tetovës për vitin 2021 (Dokument)
- LEXO: Kasami: Të ndërpriten të gjitha 350 kontratat në vepër, kërkoi raport për të vijuar pastaj me sistemimin e tyre (Video)