Punësimet e përkohshme përmes agjencive prezente në komunat në Pollog, Tetova me shumën më të lartë

Një pjesë e komunave në Maqedoninë e Veriut, kanë lidhur kontrata për punësime të përkohshme me agjenci për punësime. Në mesin e këtyre komunave është dhe Gostivari, Bogovina dhe Tetova. Kjo e fundit, ka lidhur kontratë me shumën më të lartë nga të gjitha. Të tre komunat mohojnë se punësimet e tilla janë partiake, edhe pse këto punësime të përkohshme u kritikuan nga raportet e Komisionit Evropian, si mënyrë për angazhim të “militantëve partiak” në institucion, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Tetovës, me shumën më të lartë për punësime të përkohshme

Sipas prokurimeve publike, Komuna e Tetovës me 31 mars të këtij viti ka lidhur marrëveshje me agjencinë për punësim “Xhob 2011” nga Shkupi në vlerë prej 18.290.00 milion; denarësh (rreth 297 mijë euro), për punësime të përkohshme.

 

Fotografi nga prokurimi

Komuna e Tetovës, ndryshe nga Komuna e Gostivarit dhe Bogovinës, nuk e pa të arsyeshme të përgjigjet në pyetjet e redaksisë për këtë çështje.

Por, referuar një deklarate ditë më parë të kryetarit të Komunës, ai tha se Komuna e Tetovës ka nevojë për të punësuar.

“Mjetet janë për punësime të përkohshme. Që kur kam ardhur në komunë kam thënë që do të angazhohet në minimum numri i personave që bëjnë punë për komunën e Tetovës dhe që do të jenë me kontratë në vepër, pra të gjithë ata të punësuar që komuna ka nevojë të jenë të angazhuar me punë të caktuar për obligimet që janë në formë të sistematizimit do të jenë të angazhuar me punësim të përkohshëm nëpërmjet një agjencioni privat”, tha Kasami.

Punësimet e tilla hapin dyshime se të punësuarit janë aktivistë partiakë, të pyetur se a do e publikojnë listën siç bënë me kontratat në vepër, nga Komuna e Tetovës përsëri nuk u përgjigjën për këtë, edhe pse thanë se do përgjigjen në pyetjet e redaksisë.

“Kemi edhe të punësuarit me vendime të përhershme që janë në bazë të sistematizimit, nëse duam që te jemi deri në fund transparent atëherë duhet të shohim bazën ligjore që lista e të gjithë të punësuarve të komunës së Tetovës me vendime të përhershme dhe të përkohshme, të publikohet. Për mua nuk është problem që të gjithë të publikohen pasi që kjo listë apo këta të punësuar është lista që më veç kemi publikuar për shkak se nuk kemi pasur një agjenci të këtillë kanë qenë me kontratë në vepër, pra tash një pjese të konsiderueshme do t’u paguhen edhe kontributet dhe sigurim social, do kenë vend pune edhe kontribute konform ligjit”, tha Bilall Kasami me 25 prill për TV21.

Gostivari nuk qëndron shumë prapa Tetovës me shumën për punësime të përkohshme

Sipas prokurimeve publike, Komuna e Gostivarit me 9 dhjetor të vitit të kaluar ka lidhur marrëveshje me agjencinë për punësim “Spid” nga Shkupi në vlerë  prej 17.110.000 denarësh (rreth 277 mijë euro), për punësime të përkohshme.

Fotografi nga prokurimi

Nga Komuna e Gostivarit thonë se agjencia private është angazhuar për shkak se katër vite me radhë në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës nuk ka kaluar sistematizimi dhe plani për punësim.

“Të punësuarit janë të sistemuar në vende pune, në përputhje me nevojat e Komunës. Të gjitha vendet janë të parapara edhe me sistematizimin dhe konform sistematizimit janë të angazhuar. Paguhen nga buxheti i Komunës”, tha Valbon Limani, kryetar i Këshillit të Komunës së Gostivarit.

Limani tha se emrat e të punësuarve do të bëhen publikë dhe mohoi se këto janë punësime partiake. Siç tha ai  janë të angazhuar persona që plotësojnë vendet e punës për të cilat ka nevojë administrata komunale dhe NJTZ e Gostivarit.

Komuna e Bogovinës ka lidhur marrëveshje në vlerë prej rreth 21 mijë euro

Sipas prokurimeve publike, Komuna e Bogovinës me 31 mars të këtij viti k alidhur marrëveshje me agjencinë për punësim “Motivi” nga Shkupi në vlerë prej 1.298.00 denarësh (rreth 21 mijë euro), për punësime të përkohshme.

Fotografi nga prokurimi

Nga kjo komunë thanë se agjencia private është angazhuar për ti plotësuar nevojat e Komunës me kuadër profesional për punë të caktuara konkrete.

“Këta persona qe janë të punësuar kryejnë punë konkrete profesionale të lëmisë së tyre. Thuajse të gjitha vendet e punës që janë plotësuar  nëpërmjet kësaj agjencie janë të parapara në aktin e sistematizimit. Pagesa behet nga buxheti i Komunës. Për hire të dinjitetit të të punësuarve nuk mund ti publikojmë emrat”, tha Shpend Tairi nga Komuna e Bogovinës.

Ai theksoi se këto punësime nuk janë partiake, pasi siç tha institucioni ka nevojë për kuadro në fusha të caktuara.

Përndryshe, të dhënat e Byrosë për Prokurime Publike tregojnë se vetëm nga 1 janari 2022 e deri në fund të marsit janë lidhur më shumë se 20 kontrata, mes komunave dhe agjencive për punësime të përkohshme, që do të kushtojnë gati një milion euro.

Në kontratë thuhet se nuk është e detyrueshme që të shpenzohet e gjithë shuma e parashikuar në marrëveshje.

Agjencitë e punësimit të përkohshëm janë një lloj ndërmjetësi në tregun e punës. Ato i plotësojnë nevojat e ndërmarrjeve, të cilat i shfrytëzojnë shërbimet për krah fleksibil të punës, nga njëra anë, e nga ana tjetër nevojat e punëtorëve për punësim të përkohshëm. Megjithatë, në Ligjin për Agjencitë për Punësime të Përkohshme është përcaktuar saktësisht se në cilat kushte një institucion mund të lidhë kontrata mbi këtë parim.

Në vendin tonë, punësimet e përkohshme pothuajse rregullisht përdoren jashtë ligjit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit qysh para dy vitesh reagoi se “me punësimet e tilla manipulohen edhe me faktin se punonjësit punësohen për të kryer detyrat e parashikuara nga sistematizimi për një periudhë më të gjatë dhe jo siç parashikon ligji, për shkaka të rritjes së ngarkesës, zëvendësimi i një punonjës që mungon për një kohë të gjatë, ose për ndonjë punë të caktuar – projekte”.

E njëjta gjë konfirmohet edhe në Raportin vjetor për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2021 – 2025 për periudhën 01.01.2021 – 31.12.2021. Në raport thuhet se Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës është zotuar që ta heqë mundësinë e punësimit përmes agjencive për punësime të përkohshme dhe mundësinë e shndërrimit të punësimit të përkohshëm në punësim me kohë të plotë pa procedurë të rregullt punësimi. Kjo nuk është realizuar në afatin e paraparë, përkatësisht në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Punësimet e përkohshme, vitet e kaluara, janë kritikuar ashpër në raportet e Komisionit Evropian si mundësi për të punësuar ushtarë partiakë në administratën publike. Këto punësime janë kualifikuar si “punësime të qëllimshme, politike dhe arbitrare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button