Nuk janë publikuar ende kontratat në vepër nga Komuna e Tetovës për tre-mujorin e tretë të vitit

Komuna e Tetovës nuk e ka publikuar ende listën e personave të angazhuar me kontratë në vepër në Komunë për periudhën korrik-shtator 2022, pavarësisht se publikimi i tyre çdo tre-muaj ishte premtim i udhëheqësisë së Komunës. Komuna thotë se ende nuk e kanë gati listën, sapo ta përgatisin do e publikojnë, shkruan Portalb.mk.

Deri më tani, nuk dihet sesa persona përmes kontratave në vepër janë të angazhuar në Komunën e Tetovës për këtë periudhë. E njëjta, sipas zotimeve nga komuna, duhej të bëhej në fillim të këtij muaji, por kjo nuk është bërë ende.

Komuna e Tetovës thotë se do e mbajnë premtimin.

“Kontrata në vepër për këtë tremujor do të publikohen në web faqen e Komunës së Tetovës, por kur do të jenë gati. Për numrin dhe listën do të informoheni kur të njëjtat do të publikohen”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Kujtojmë që komuna dy herë deri tani ka publikuar emrat e personave të cilët kanë qenë të punësuar përmes kontratave në vepër, në tremujorin e parë të vitit ishin 78 ndërsa në tremujorin e dytë ishin 14.

Sipas prokurimeve publike, Komuna e Tetovës me 31 mars të këtij viti ka lidhur marrëveshje me agjencinë për punësim “Xhob 2011” nga Shkupi në vlerë prej 18.290.00 milionë denarësh (rreth 297 mijë euro), për punësime të përkohshme.

Edhe pse paguhen me paratë e qytetarëve, kontratat e punës të realizuara nga Komuna e Tetovës përmes agjencisë private për punësim “Xhob 2011” mbeten sekrete për publikun, komuna nuk i tregon emrat se kush është punësuar përmes kësaj marrëveshjeje. Topin e hedhin te agjencia private, ndërsa kjo e fundit nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske.

Në qoftë se transparenca, llogaridhënia, përgjegjësia para opinionit dhe para qytetarëve të Tetovës, mbeten imperativ kryesor i punës së komunës, ashtu siç thonë, atëherë komuna duhet t’ua sqarojë qytetarëve se kush merr pagë nga taksat e tyre.

Ndryshe, Kasami para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjëndër edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button