KOMPENSIMI I MUNGESËS

Kur lexojmë biografi udhëheqësish, mbretërish, perandorësh, diktatorësh e tiranësh mund të çuditemi se pse turma u ka besuar atyre verbërisht. Nuk ka asgjë për t’u çuditur. Asnjë epoke s’i kanë munguar udhëheqësit që vendosin me arbitraritet për fatet e njerëzve dhe të kombeve, por as ndjekësit e tyre, qoftë për shkak të verbërisë që e shkakton një ideologji, qoftë për shkak të frikës apo interesit.

Sa më shumë lexojmë biografi të këtilla, aq më shumë e kemi përshtypjen se autorë të ndryshëm e kanë portretizuar protagonistin e njëjtë, por me emra të ndryshëm.

Ndryshe nga artistët, të cilët flasin për prapësitë që kanë bërë në të kaluarën dhe duken simpatikë, politikanët e kompleksuar fshehin pjesë të biografisë së tyre. Makineritë propagandistike i “pikturojnë” ata si fëmijët në pikturat mesjetare.

Fëmijët në pikturat mesjetare janë me fytyra të rriturish. Sipas dogmës, te çdo fëmijë duhej të shihej shëmbëlltyra e Krishtit edhe pse, nën atë shëmbëlltyrë, mund të ishte Juda apo Baraba.

Ne që mendojmë se dimë shumëçka për udhëheqësit, pothuajse nuk dimë asgjë për fëmijërinë dhe rininë e tyre, për raportet me prindërit, nëse u mikluan apo u keqtrajtuan në fëmijëri dhe as nuk dimë çfarë marrëzirash kanë bërë në të kaluarën. Ata, zakonisht, portretizohen si puritanë. Thuajse u rritën pa qenë fëmijë dhe të rinj…

Politikanët me prirje tiranike, me mungesë socializimi në fazën e formimit jetësor, gjatë gjithë jetës tentojnë pavetëdijshëm ta kompensojnë jetën e pajetuar. Të pafatët në dashuri sillen si hamshorë në moshë të thyer. Varfanjakët e dikurshëm i reklamojnë tryezat me ushqime të llojllojshme. Të leckosurit në fëmijëri u kushtojnë rëndësi veshjeve që s’i shkojnë moshës dhe funksionit që kryejnë…

Sa më shumë lexojmë biografi udhëheqësish që ushtruan ndikim të madh në rrjedhat shoqërore (për të keq), aq më shumë shohim ngjashmëri me shumë politikanë ballkanas. Ka një dallim: këta politikanë, për fatin e mirë, drejtojnë shtete pa ndikim në rrjedhat botërore, prandaj s’mund ta dëmtojnë njerëzimin deri në atë shkallë sa udhëheqësit që drejtojnë shtete të mëdha…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.