Koha është tani

Kaloi një javë nga takimi i liderëve që përfundoi me marrëveshje provizore se ndryshimet kushtetuese do të realizohen. Pas inkurajimit fillestar se më në fund do të shohim përparim në këtë drejtim dhe së shpejti inicijativa për ndryshimet kushtetuese do të shkojë në Kuvend, shohim sërish që Mickovski reteron, dhe tani thotë jo nuk u kuptuam për këtë e atë, nuk desha të them kështu po ashtu, në fakt e dua këtë dhe jo atë. E koha po kalon ndërsa koha për ndryshim është pikërisht tani.

Është trishtuese të shihet se sa me qetësi e humbim kohën, kur në fakt nuk kemi aspak kohë për të humbur. Trenat ecin gjithë ditën dhe asnjëri prej tyre nuk ndalet t’i presë ata që humbin kohë. Sillemi sikur ta kishim në dispozicion tërë kohën e botës, e në fakt jemi vonë, jemi shumë vonë dhe rrezikojmë treni të na ikë, përsëri për fajin tonë.

Çfarë do të ndodhë nëse na ik para syve edhe ky tren për t’iu bashkangjitur rrugës eurointegruese? Të gjithë do të thonë që është shumë keq, që nuk është fer, që nuk është në rregull, që na bëhet padrejtësi, që Bullgaria i ka fajet, që Mickovski i ka fajet… Por në fund të fundit, llogarinë do ta paguajmë së bashku përsëri. Do të ngatërrohemi në qorrsokakun e rradhës për të dalë nga i cili do të na duhen sërish vite e dekada. Do të dalim nga rruga te e cila u kthyem me shumë mundim, pas një dekade të tërë të shtetit të kapur. Do të vazhdojmë të zbrazemi si shtet dhe do t’i përcjellim dita ditës më të dashurit tanë që do të shkojnë në Evropë para shtetit të tyre, dhe të cilët nuk do të arrijmë t’i mbajmë këtu pasi ta kemi humbur perspektivën tonë evropiane.

Alternativë tjetër nuk ka. Alternativë tjetër nuk ofron as Mickovski e as askush tjetër që është kundër ndryshimeve kushtetuese. Alternativa është thjesht një apati pa fund.

Prandaj nuk e kuptoj se si në kushte të tilla njerëzit sillen kaq neglizhentë dhe në rehati, sikur ta kenë në dorë gjithë kohën e botës, kur nuk e kanë, dhe kur mundësitë u rëshqasin nëpër gishta. Kohë nuk ka, dhe koha për ndryshimet kushtetuese është tani.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.