Koçani nuk ishte i përfshirë në kontrollet e zjarrit të DMSH-së, tha prokuroria në gjykimin për zjarrin në “Puls”

Në procesin gjyqësor kundër 35 të akuzuarve për zjarrin katastrofik në diskotekën e paligjshme “Puls”, prokurorët sot paraqitën në dy monitorë të mëdhenj provat materiale dhe dokumentet që dëshmonin se objektet me rrezik të lartë nga zjarri, siç ishte “Puls”, por edhe objekte të tjera në Koçan, nuk ishin përfshirë fare në planet e inspektimit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSh). Në zjarrin që shpërtheu në diskotekën ilegale më 16 mars 2025 humbën jetën 63 të rinj, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën, duke luftuar për të gjetur dalje nga një objekt prodhimi i kamufluar, me vetëm një derë për më shumë se 600 mysafirë, transmeton Portalb.mk.

Gjatë pjesës së parë të paraqitjes së provave, herë pas here dëgjohej zëri i drejtorit të akuzuar të DMSh-së, Shaban Saliu, i cili për çdo dokument të paraqitur me nënshkrimin e tij thoshte:

“Gjykatëse, ky nuk është nënshkrimi im. Gjykatëse, as ky nuk është nënshkrimi im. Edhe ky po ashtu, jo, jo”, duke e përsëritur këtë për të gjitha dokumentet.

“Doni të thoni se dikush jua ka falsifikuar nënshkrimin dhe ju nuk e keni vërejtur? Nuk keni pasur zëvendës që t’ju njoftonte?”, e ndërpreu gjykatësja Diana Gruevska-Ilievska.

“Do ta shpjegojmë më vonë, gjykatëse”, tha avokati i tij, ndërsa Saliu vazhdoi të thoshte: “Jo, jo…”.

“Provave u përkasin vitit 2016 dhe janë plane për inspektimin e objekteve me rrezik nga zjarri në të gjithë territorin e shtetit. Në to janë përcaktuar kriteret për vlerësimin e rrezikut nga zjarri dhe rreziqe të tjera të sigurisë. Për komunën e Koçanit nuk ishte paraparë dhe as nuk ishte realizuar asnjë inspektim. Nuk ishte caktuar asnjë inspektor për të kryer kontroll të rregullt apo të jashtëzakonshëm”, deklaroi prokurorja.

Para se të paraqiste dokumentet e shumta për vitin 2015, prokurorja tha se atë vit në Koçan ishte kryer vetëm një inspektim dhe ai në një objekt jo të rrezikshëm (objekt shitjeje), ndërsa objektet me rrezik nuk ishin kontrolluar për të vlerësuar nivelin e rrezikut nga zjarri.

Më pas ajo u kthye edhe më herët në kohë dhe paraqiti dokumente nga vitet 2014, 2013 dhe 2012, nga të cilat rezultonte se DMSh-ja nuk kishte vendosur kritere të qarta për vlerësimin e rrezikut të objekteve nga lloje të tjera fatkeqësish.

“Është përgatitur një plan nga DMSh-ja për kontrollin e hoteleve, restoranteve dhe moteleve, por përsëri janë lënë jashtë klubet kabare dhe diskotekat”, tha prokurorja.

Përveç Shaban Saliut, të akuzuar janë edhe tre ish-drejtorë të tjerë të DMSh-së: Adnan Xhaferoski, Bekim Maksuti dhe Xhevad Selami, i cili ishte në detyrë në kohën kur ndodhi tragjedia në “Puls”.

Zjarri në “Puls” shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura e provave me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Ndër ta janë pronari i “Puls”, persona të afërt të tij, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte kabarenë dhe pronari i saj.

Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan se nuk ndihen fajtorë dhe kundërshtuan tezën se ekziston lidhje shkak-pasojë midis veprimeve të tyre dhe shkaktimit të zjarrit fatal.