Një grua në RMV denoncoi sulmin brutal ndaj vajzës së saj, dy të mitura e kanë djegur me cigare
Një rast shqetësues i dhunës mes bashkëmoshatarëve është raportuar në Kavadar, pasi një nënë ka denoncuar se vajza e saj e mitur është sulmuar fizikisht nga dy të mitura, ku njëra e ka mbajtur, ndërsa tjetra e ka djegur me cigare, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve nga Sektori për Punë të Brendshme në Veles, rasti është denoncuar më 18 nëntor, në orën 22:30, në Departamentin e Punëve të Brendshme në Kavadar.
Në denoncim thuhet se sulmi ka ndodhur dy ditë më parë, më 16 nëntor, në rrugën “Sremski Front” në Kavadar.
Sipas denoncimit, dy të miturat e kanë sulmuar fizikisht vajzën, ku njëra e ka mbajtur, ndërsa tjetra e ka djegur me cigare. Deri më tani nuk janë bërë të ditura informacione shtesë për shkallën e lëndimeve që ka pësuar e mitura, as për motivet e sulmit.
Për rastin menjëherë janë njoftuar prokurori publik kompetent dhe Qendra për Punë Sociale në Kavadar, të cilët do të veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre.
Nga policia informojnë se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave në të cilat ka ndodhur incidenti. Pas dokumentimit të tij, do të ndërmerren masat përkatëse në përputhje me procedurat ligjore.
Rasti rihap çështjen e dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe nevojën për reagim në kohë të institucioneve, shkollave dhe prindërve, me qëllim parandalimin e incidenteve të tilla dhe marrjen e masave përkatëse ndaj tyre.
Rast i ngjashëm në maj 2025 tronditi publikun pasi u publikuan pamjet e dhunës ndaj nxënëses 13-vjeçare nga Gjorçe Petrovi. Në pamje shihej se si një grup bashkëmoshatarësh e rrethojnë, e tërheqin për flokësh, e shtyjnë në tokë, e godasin, i fiknin cigare në trup dhe e detyruan me forcë të hante jashtëqitje qeni.