Në Muzeun e Alfabetit do të mbahet tryezë shkencore për Bedri Pejanin dhe Kongresin e Dytë të Manastirit

Veprimtaria atdhetare e Bedri Pejanit dhe rëndësia historike e Kongresit të Dytë të Manastirit do të jenë në qendër të një tryeze shkencore që do të mbahet nesër, më 20 nëntor, në ambientet e muzeut. Tryeza mban titullin “Bedri Pejani dhe Kongresi i Dytë i Manastirit: një jetë në shërbim të çështjes kombëtare”, transmeton Portalb.mk.

Në program janë paraparë shtatë kumtesa. Nebi Dervishi nga Universiteti i Tetovës do të trajtojë rëndësinë historike të Kongresit të Dytë të Manastirit, ndërsa historiani Qerim Lita do të paraqesë, mbi bazën e burimeve shqiptare, veprimtarinë atdhetare të Pejanit në periudhën nga viti 1930 deri më 1944. Ardian Limani do të flasë për veprimtarinë e Pejanit në Shkup, ndërsa avokati Heral Saraçi do të paraqesë kumtesën “Bedri Pejani-Na vetë do t’a bajmë Shqypninë”.

Isamedin Azizi do të trajtojë marrëveshjen politike ndërmjet Komitetit të Kosovës dhe Komitetit Revolucionar Maqedonas. Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Besnik Emini, do të flasë për botimet shqipe në Manastir në kohën e Kongresit të Dytë. Avokati Virtyt Sokoli do të trajtojë lidhjen mes gjuhës, fesë dhe atdheut në veprimtarinë e klerikëve Gjergj Fishta, Ibrahim Dalliu dhe Ali Korça në periudhën mes dy kongreseve, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Muzeut të Alfabetit.